martedì 17 marzo 2020

MË FAL QË S’TË URREJ!


Të kam lënë me kohë të jesh “free”,
Siç u shtire kur më puthje mua…
Dashuria vërtetë e zbukuron njerinë,
por Ti je e mallkuar,
e mallkuar t’mos thuash kurrë të dua!

Bukuria jote është tundim djallëzor,
Je e bukur, natyrisht, por bukuri e hidhur
Je e mallkuar të falësh kënaqësi me orë,
ndaj as urrejtja tek ty s’rri dot e lidhur…
 
Qoftë mallkuar dita që të njoha,
Mallkuar dhe kush si unë të fal ndjenjë ty
Krijesa të tilla nuk i urren as vetë koha,
Ndaj i kalon për eksperiencë në mijëra sy…
 
Më fal që s’të urrej dot,
Më fal, por kam vetëm një jetë
Duke urryer krijesa si Ty më kot,
Nuk do t’mund ta jetoj vërtetë…
 
Ardi OMERI

lunedì 16 marzo 2020



Mallkimi i Shen Valentinit




Epilog

Pas disa javësh, ndërsa mendoja ta botoja rrëfimin histori të mikut tim, që tashmë nuk ishte më, shkova në Tiranë  në takim  me një botues.
I ulur në një nga ato lokalet që kanë emra të çuditrisht nostalgjik  për kohën e komunizmit,si: Vila nr 4, Vila Gold, etj   po shkruaja në bllokun e shënimeve dhe rrufisja kafenë e dhjetë. Pas kurrizit dëgjoj  një zë të njohur:
- O rrushi, po a nuk ishte më mirë të kishe lënë takim në ndonjë vend tjetër? Se këtu kemi qenë disa  herë, ë ?
- Pa problem, takim punë është, hahaha!
Ngrita kokën, e njihja atë zë edhe pa e dëgjuar herë të tjera! Notat, melodia e atij zëri më ishin përçuar në shpirt. Ecja ishte e padiskutueshme, e njohur...
Ajo tundte belin dhe ecte me “marsh indietro”!
Ato u ulën të dyja në një tavolinë në qoshe dhe për fatin tim, Ajo  kolltukun prej nga nuk më shihte. Përballë meje, u ul shoqja e saj, që natyrisht, nuk më njihte.
Nuk kaloi shumë dhe hyri një burrë i ri, pas  të tridhjetave , por me flokë pak të rëna në  ballë e tëmtha të thinjura. Ai kishte veshur  pantallona  terital, këmishë me kuadrate dhe atlete .
Mikeshat  e tij në qoshe të lokalit e pritën krahëhapur. Për fat, edhe mua më erdhi  shoku im që m’i shpërndau mendimet për treshen, që po më rëndonin shpirtin...
Filluam të flisnim për punët tona, kur pas disa minutash dëgjova  të qeshura nga tavolina e atyre. Na ndante vetëm një kolonë për t’u parë sy më sy me “Valën e detit”. Shihja vetëm krahun e majtë të mikut të saj. Shoqja, që më parë ishte ulur përballë meje, nuk ishte më aty.  Dhe unë u  përmenda: "Njëlloj si në rrëfimet e Ilirit. Hamendësimet e tij paskan qënë të vërteta!"
Një mendim pak djallëzor më erdhi në mendje:- Më fal një minutë të bëj një telefonatë. Shoku më kuptoi nga fytyra, që unë nuk isha mirë. Kërkova në rubrikën e telefonit një numër dhe e formova.
-Mirëdita, Ju lutem, një lule  një Orkide dëshiroja për tek “Vila ... “, A mundeni?
- Patjetër, - u dëgjua një zëri i luleshtitëses.
- Mirë.  Unë jam i ulur sapo hyn tek “Vila” djathtas, jepi korrierit numrin tim, që t’ më japë buqetën. Dhe nëse ka mundësi, sa më shpejt.!
- Patjetër, zëre se erdhi, - e mbylli  ajo
- Ju faleminderit!

Shoku po më shihte në sy. Ai s’po kuptonte asgjë. Në fakt, më erdhi instinktivisht ideja. Ndoshta ishte ajo pyetja që do të doja t’i bëja para dy ditësh zonjës; “Pikë loti”, “Valë deti” dhe që në atë moment e konsiderova të tepërt. Por siç ndodh rëndom, ne pendohemi që nuk i bëjmë ato që duam, vetëm pasi nuk kemi mundësi t’i bëjmë më...
Mua më erdhi shansi ta bëj në një mënyrë tjetër dhe vendosa të mos e humb rastin.
-Shumë mirë bën, asgjë nuk duhet lënë pas dore. Punën e sotme mos e lër për nesër, miku im.
I kisha folur më zë të lartë mendimet e mia dhe shoku përballë më kishte dëgjuar të shprehesha.
-Të tregoj më pas, por ai libri që po përgatisim për botim do të ketë këtë dialog tonin në mbyllje.
-Ashtu? Pra lulja Orkidea është për personazhin e librit. Pra, ajo, “Vala e detit” ndodhet këtu, sipas kësaj që kuptoj??
-Po, por mos e ngri zërin, - e ndërpreva, meqenëse miku im botues, që e kishte lexuar me një frymë për gjithë natën novelën-rrëfim të Ilirit, u bë kurioz dhe filloi të kthente kokën majtas-djathtas.

Korrieri erdhi me një buqetë të rregulluar bukur me letër të hollë të tejdukshme, ngjyrë të kuqe të lidhur me fjongo.
Shkrova një biletë shpejt e shpejt dhe e futa mes fjongos dhe letrës mbështjellëse. I dhashë paratë korrierit dhe i fola me zë të ulët: - Atje në qoshe është ulur një zonjë. Çoja asaj dhe i thuaj që ta kanë porositur me telefon, ok?
Djali tundi kokën me një buzëqeshje mashkullore, që dukej sikur më thoshte:
-“Mirë plako, e kuptova që po gjuan”.
Ndërsa djali u nis me lule Orkidenë drejt Valës, ne paguam dhe dolëm.
Tek dera dëgjova korrierin që më përshëndeti, kurse shoku im ishte kurioz për dedikimin në biletën shoqëruese, kur befas dëgjoj :- Poet!
Ktheva  kokën dhe e pashë atë, por e përshëndeta ftohtë me kokë.
-Nuk është ashtu siç mendon ti, - po përpiqej të justifikonte evindencën ajo e afruar ndërkaq.
-Nuk e di çfarë mendoni ju zonjë se mendoj unë, - iu ktheva me cinizëm dhe ironi, - por mendoj se tashmë nuk ka asnjë rëndësi apo jo ? Jeta vazhdon zonjë. Për ne që dimë të adaptohemi me hipokrizinë njerëzore, jeta vazhdon, me cinizëm apo realizëm cinik, ajo vazhdon! Jeta nuk i do të mirët. I quan të dobët dhe ia jep vdekjes. Na lë ne, “të fortët", që të masim forcën e hipokrizisë reciprokisht.
- Kush do të fitojë?!
-Askush zonjë, askush...
Koha shëron çdo plagë për njerëzit pa ndjenja. Për ata me ndjenja, koha nuk vepron. Atyre plagët nuk ia tret as dheu... Thonë që shpirti i tyre, i paqtë në hapësirën tokësore, kthehet i papaqtë përtej jetës, derisa drejtësia e padrejtë njerëzore t’i shpagojë!
-Përshëndetje zonjë! Zoti pastë mëshirë për ju!
E lashë aty, në hyrje të shkallëve, ndërsa m’u duk se po kërkonte të thoshte diçka, por s’kisha dëshirë ta dëgjoja.
Isha shfryrë edhe për mikun tim Ilirin. Ndoshta padrejtësisht, pasi nuk kisha asnjë të drejtë ta gjykoja, por kujtimi i Ilirit dhe ndjenjës së tij të pastër, më kishte detyruar të bëja atë monolog cinik.
Ndieja në kurriz vështrimin e saj, ndërsa dilja nga oborri i lokalit me shokun tim botues që më pyeste:
- Çfarë i kishe shkruar në biletën shoqëruese të lules?
-“Të dua përtej vdekjes!   ILIRI”



Fund
Ardi OMERI




Kapitulli IV

Orkidea
Ai ishte fare i ri kur i kishte kënduar kësaj dashurie, të kultivuar brenda shpirtit të tij me shumë ndjenjë e pasion...
Orkidea  ishte  një vajzë bjonde syzezë, që binte në sy me kilometra larg. Kisha një jetë që e doja, një jetë që flija dhe zgjohesha me imazhin e saj në mendje, aq sa çdo femër që ishte bjonde, e krahasoja me të, edhe nëse kishte sadopak ngjashmëri.
Ne ishim larguar një herë nga njëri-tjetri, por u ritakuam, falë ndihmës së Zotit, atëhere kur unë isha në ankth dhe depresion për shpërberjen e familjes time. Pra, u takuam kur ajo ishte martuar dhe unë i gjysmëndarë... Pas ditës së ritakimit, ne nuk bëmë dashuri menjëherë. Flisnim çdo ditë në telefon dhe dita-ditës ndjenja ime për të theu çdo parashikim. Fillova të shkoj në qytetin ku rrinte ajo çdo ditë. E shoqëroja në punë, e prisja kur dilte në pushim të drekës dhe e përcillja për në shtëpi në darkë, pastaj ikja të bëja punët e mia. Të nesërmen rifilloja çdo gjë nga fillimi si më lart. Isha bërë "burri në hije" i saj, sa edhe i shoqi filloi të dyshonte, ndërsa fëmija gati e kishte pranuar këtë lidhje, por e kuptoja që më urrente. Ai fëmijë i zgjuar, kur unë shkoja për vizitë në shtëpinë e saj, më shihte me dhelpëri fëmije dhe më afrohej vetëm kur e ëma e drejtonte nga unë për ta ndihmuar në detyrat e shtëpisë, për mësimet e saj.
- Po qe për shpjegime të kësaj natyre, fol me Ilirin, se ai ka qenë nxënës i mirë. Unë kam qënë ngelëse, ndërsa yt atë, nuk e di si e ka mbaruar shkollën e lartë, se nuk merr vesh fare!
Ajo m’i kishte mundësuar "vizitat" në shtëpinë e saj, si një mik i rinisë dhe të gjithë më kishin pranuar. I shoqi shpesh më ftonte për kafe jashtë dhe unë përfitoja. Ne dilnin të gjithë "familjarisht" për darkë në restorante apo diskoteka për moshën tonë.
Dashuri me të unë bëja gjatë ditës, ku të ishte. Bënim dashuri në makinë, në ashensor, në hotele apo në kodrat e Qytetit gjatë pushimit të drekës. Isha gjithnjë e më shumë "i pangopur" për epshin e saj, për psherëtimat dhe orgazmën që më pushtonin të gjithë qenien, aq sa dëshiroja të rifilloja nga fillimi. Ajo më thoshte e çuditur:
-Ku e gjen gjithë këtë fuqi, mos vallë pi ndonjë gjë?
-Në dashuri zemër, në dashuri. Unë s'kam pirë kurrë dhe as do të pi ndonjëherë gjë për të stimuluar prestacionin tim në seks, sepse kam dashurinë si stimulin më të mirë që mund t’i jepet një njeriu. Kur e puthja, e gjithë bota ndalonte mes buzëve të mia dhe të saj. Thithjet plot epsh që ajo më jepte dukej se më merrnin frymën dhe sapo mbetesha pa oksigjen, ndieja mushkëritë të më mbusheshin përsëri. Ajo ishte jeta ime, ajri im, oksigjeni i zemrës sime. Pa të nuk jetoja dot! Por ne grindeshim pak, pak si shpesh.
Unë doja që ajo të ndahej e të martohej me mua, ndërsa ajo justifikohej që s'mund ta linte fëmijën e saj pa baba.“Gjithçka bëj në jetë, e bëj për fëmijën tim. Asgjë nuk më ndalon të sakrifikoj për të dhe kurrë s'do të bëj diçka që ai të jetë i palumtur.” Kjo miku im, ishte arsyeja primare e grindjeve tona, por dita-ditës hyri dhe xhelozia.
Grindjet më të mëdha, çuditërisht ne i bënim tek parku “Valentino”. Është një park i bukur gjithë gjelbërim ku kalon lumi Po. Ka edhe një kështjellë mesjetare brenda dhe të gjithë të dashuruarit bëjnë shëtitje aty buzë lumit. Hanë dreka e darka në lokalet që janë mbi barka të ankoruara në breg. Ne uleshim gjithnjë tek "Il pescatore" (Peshkatari). Ajo, si një fëmijë i lumtur u hidhte për të ngrënë mjelmave, patave e rosave të egra që afroheshin tek lokali ndërsa drekonim. Dashuria të lumturon shpirtin! Pastaj dilnim shëtitje nëpër gjelbërimin e lulishteve të parkut dhe ndërsa flisnim, fillonte grindja. Aq shumë jemi grindur aty, sa pyesja veten: “Si ka mundësi të grindemi këtu që është dhe parku i të dashuruarve?! -Përse duhet të grinden dy të dashuruar, kur kjo ndjenjë bashkon dy shpirtra në një?! -A mund të ketë mosmarrëveshje në një shpirt të vetëm?!”
Shën Valentinin e dytë e bëmë bashkë, gjysmën e ditës, sepse pjesën tjetër ajo e kaloi me të shoqin dhe fëmijën në familje. Prapë si një mallkim miku im, si një mallkim!
Madje, më kujtohej që ajo në mëngjes shkoi në punë, në drekë u takua me mua dhe pas dy a tri orësh u kthye në shtëpi. Mua më ishte kthyer në një fiksim pronari i saj. Ai ishte një burrë plak, por jo aq plak sa thoshte ajo. E shihja në distancë dhe më dukej diku tek gjashtëdhjetepesë vjeç, ndërsa ajo më thoshte që ishte shtatëdhjetë e kusur. Orkidea ime shkonte çdo ditë të hënë në shtëpinë e tij për punë! Kur e pyeta herën e parë se çfarë bën atje, më tha që plotëson punët e dyqanit, ndërsa më vonë doli që bënte punët e shtëpisë.
Ai ishte "bamirësi" i saj pasi i kishte bërë kontratën e punës me të cilën ajo kishte mundur të tërhiqte familjen në Itali. Dhe jo vetëm kaq. Ai e kishte punësuar dhe e ndihmonte të jetonte. Kjo më shtynte të mendoja: "Po ajo çfarë i jep në këmbim, punën? Sa të tjera ka në këtë qytet stërmadh që mund ta bëjnë edhe më mirë se ajo? Pse ky burrë plak e jo plak, duhej të ishte kaq bamirës me këtë grua që s’e ka as farë dhe as fis?!"
Kështu vendosa të zbuloj të vërtetën: Një ditë u hoqa se nuk mund të shkoja në takim dhe me ndihmën e një miku në Shqipëri i dërgoj një sms nga Tirana duke i thënë që jam atje dhe s'mund të vij dot në qytet. Kështu e ruajta se çfarë do të bënte në mungesën time një ditë të hënë, kur si zakonisht, shkoi tek shtëpia e padronit. Në orarin e lënies së punës prita jashtë, por ajo nuk po dilte. Doli më pas. Me gjysmë ore a më shumë vonesë. I dola përpara. Ajo u habit dhe vura re që u pre në fytyrë. Nuk e priste këtë surprizë.
U përqafuam si zakonisht, pa rëndësi se ishim në mes të rrugës dhe unë ndjeva flokët e saj të lagur.
-Ti je larë në shtëpinë e pronarit?!
-Po, - më tha ,- u lava se sot mora pluhurat dhe u bëra pak pis.
Ajo ishte zverdhur. Ndjeu që unë dyshoja dhe dëshironte të justifikohej, por asgjë
nuk mund të më qetësonte. Shpirti im ishte kthyer në një vullkan që dëshironte të digjte çdo gjë. U largova prej saj duke mallkuar dashurinë time.U takuam fshehurazi edhe një herë, një herë të vetme. Ajo më tregoi historinë e njohjes së saj me pronarin plak. Një histori vajzash të ardhura në Itali pa mbështetje dhe pa krahë. Ai e kishte gjetur në një situatë të vështirë dhe e kishte ndihmuar. Ishte kështu faktor pozitiv në jetën e saj. E dëgjova, e kuptova dhe u largova. Që atë ditë nuk e pashë më. Dashuria ime xheloze nuk e fali dot dhe mallkimi i Shën Valentinit, doli fitimtar në dashurinë më të madhe, që kisha pasur që nga fëmijëria ime... Ja, pse të thoja që "Pika e lotit", "Vala e detit", zuri vendin e Orkidesë në zemrën time. Unë kam dashuruar vetëm një herë para saj në jetë. Edhe atëherë kam qenë i pafat ose i paaftë të ruaj dashurinë time... Ka qenë edhe Magda, për të cilën të kam treguar një herë, por e kuptova që ajo nuk ishte dashuri, sepse atë e harrova shpejt, shumë shpejt.

Dashuria poet, nuk harrohet edhe kur largohesh prej saj. Dashuria e madhe rri si hije në zemër, nxjerr kokën herë pas here dhe çdo raport të ri e krahason me të. Është si etalon ndjenje. Jam pasionant dhe xheloz posesiv. Kjo më ka dëmtuar gjithnjë edhe në raporte të thjeshta, flirte. Por unë pa dashuri nuk mund të rroj, sepse dashuria është jetë miku im, është motivi i jetës...
Dhe tashmë unë s'kam më asnjë motiv për të jetuar.

Në spital
Aty gjendeshin shumë njerëz, kuriozë apo të njohur, s’mund t’i përcaktoj dot, por dallova  miq të Ilirit dhe të mitë dhe  i përshëndeta  me  një tundje koke.
Në reanimacion ishte heshtje, ata pak njerëz që kishin mundur të rrinin brenda qanin heshturazi. Pyeta me kokë një të njohur dhe pashë një shenjë mohimi, sikur po më thoshte: "Mbaroi! "U afrova derës dhe mora ta hap, por dikush e hapi nga brenda. Ishte nëna e Ilirit, shoqëruar nga Ajo  po dilnin. Të dyja me fytyrë të skuqur e sy të enjtur  ngashëreheshin. Infermierët dukeshin në atë hapje dere, që po çinstalonin aparaturat nga shtrati i pacientit. -Pse, pse e bëri!?- pyeste me kokën ulur duke qarë Nëna e tij. Ajo tundte kokën dhe sikur lutej përsëriste :- Pse, pse e bëri ?
Në atë moment sytë e mi dhe të gruas u kryqëzuan. Ajo pa në dorën time Cd-në dhe uli vështrimin. Po ne të dy, a e dinim vallë këtë përse!? A janë të vërteta hamendësimet e Ilirit? Kjo grua në pamje ëngjëllore, vërtetë ka lidhje të tjera jashtë martese?
- A thua të jetë e vërtetë, që për" hobi një femër të kalojë nga një shtrat në një tjetër me burra të ndryshëm, vetëm pse ky apo ai i duken “tip”!? E pashë që ajo filloi të ndjehej keq, filloi të nervozohej. Lëvizte këmbët, pozicionin e ndenjes, duart sikur i ishin mbushur me djersë dhe i fërkonte herë pas herë, ndërsa ngjitur me të, nëna që pëshpëriste diçka në vajtimin e saj.
Iu afrova pyetës mjekut që doli nga salla e reanimacionit.
-Ai mbaroi, mbaroi në duart e nënës së tij. Mund ta merrni trupin sapo të mbarojmë procedurat, -u përgjigj ai procedurial.
- Të faleminderit doktor, nderim punës tuaj! E di që s’mund të bënit më shumë.
-Fatkeqësisht jo. Djegiet ishin të mëdha dhe zemra e tij ishte e dobët. Ai paska vuajtur edhe nga zemra. Nuk po i bëjmë autopsi, sepse e kemi të qartë gjithçka. Vetëm një pyetje kisha meqë njihemi: -A ka një përse në këtë akt?- u intersua seriozisht doktori
-Nuk e di doktor, -gënjeva duke kthyer kokën instinktivisht nga dy gratë që ishin ulur në të djathtën time dhe përballë doktorit.
E mora për krahu nënën dhe u nisëm për në shtëpi. Ndjeva hapat e asaj që na ndiqte. Ktheva një çast kokën dhe e pashë në sy. Doja t’i bëja atë pyetjen që më torturonte shpirtin. Ajo ngriti kokën, më pa dhe uli sytë përdhe, sikur dëshironte të më thoshte:
-"Jo të lutem, s’ka vlerë asnjë pyetje, asnjë përgjigje!"
Po ecnim drejt shtëpisë pa Ilirin dhe  pa e kthyer kokën pas . Ajo vala... mbeti aty , në prapashpinën tonë, ndoshta  me pengun e saj...

Të nesërmen u krye  ceremoniali mortor i Ilirit, por unë s’e pashë atë grua mes turmës, ku thua se ishte i gjithë qyteti, ku Iliri u rrit e u dashurua me jetën dhe detin.
Ajo e kishte mbyllur një ditë më parë takimin me Ilirin në spital...
-Apo  ndoshta shumë  kohë më parë,  ashtu siç shkruante Iliri në Cd:
Një ditë para Shën Valentinit
“Në atë pasditë ne të dy iu dhamë njëri-tjetrit lirshëm, pa menduar botën që na rrethonte, por, sapo u zgjuam dhe futëm mes botës, u ndjemë në faj...
Një dashuri e ndaluar....
E mallkuar ndoshta...?!


Mallkimi i Shen Valentinit
Novele


Kapitulli III

Shkrova pa pushuar atë natë dhe në agim dola buzë detit për të marrë pak ajër.
U ula në murin mbi leshterikë. Në murin që simbolikisht mban gadina(zinxhire), spirancë anije duket se njeriu i ka vënë fre detit. I ka vënë kufi deri ku duhet të hyjë. Kur u krijua bota deti kishte më shumë hapësirë, ndoshta sepse është më madhështor se toka e jetuar nga njerëzit. Apo sepse është hyjnor?! Dikur, kur ishim fëmijë, këtu vinim e loznim. Gjuanim njëri-tjetrin me leshterikë si topa të vegjël. Atëherë kjo ishte pronë shtetërore, sot e kanë privatizuar dhe kanë betonizuar gjithçka.
-Nuk e di kush ia ka lënë në trashëgimi? por kam marrë vesh që s'kanë asnjë lidhje me Durrësin. Kanë vetëm një avantazh; Janë "të fortë" politikisht. Sa keq! Ky qytet kaq i bukur që i ka mbijetuar disa tërmeteve natyrore në shekuj, nuk i mbijetoi dot tërmetit njerëzor.
Mora një top leshteriku dhe e lëshova mbi valet e lehta që vinin drejt bregut pa zhurmë. Edhe këto te bekuara kanë frikë të bëjnë xhiron e tyre natyrore...
Më mbyt trishtimi sa herë vij në këtë shëtitore, ndaj tres vështrimin thellë në horizont. Aty ku bashkohet qielli me detin nuk ka poshtërsira njerëzore, ndaj dhe është mrekulli pamja që të jep paqe, të transmeton paqe. Diku në të djathtë, në krahun veriperëndimor të Durrësit, thonë se është nën ujë vendbanimi i Atlantidëve. Ndoshta këta "perfektë" zgjodhën një vendbanim larg tokës së njerëzve, pikërisht sipas asaj që mendoja :
Aty ku shkel njeriu prishet bukuria e natyrës dhe humbet paqja.
Ndoshta për këtë edhe tradhton njeriu. Njerëzit janë të paqetë dhe kërkojnë paqen diku tjetër. Arsyeja e gjithkujt është se paqenia prish tjetrin dhe asnjëherë nuk e kërkojmë fajin tek vetja. Pastaj, pasi jemi velur me paqen e tjetrit largohemi për të gjetur një oaz tjetër, më pas një tjetër deri në plakje, kur paqen e gjejmë në një copë dhè që na hedhin mbi trup të pajetë.Vetëm të pajetë gjejmë paqen që tërë jetën e prishim vetë nga egoja dhe lakmia.

U largova nga bregu i detit dhe lashë aty mendimet e mia të paqta të loznin me leshterikë... Isha i lodhur dhe kisha nevojë të pushoja, të flija. Nata e gjatë e pagjumë, gërmat mbi tastierë që lëviznin bashkë me mendimet e mia, më kishin lodhur.
Rrëfimi i Ilirit, tërë këto ditë, më kishte vënë në lëvizje trurin...
Shpesh edhe unë jam gjendur në dilema të tilla, por kam mundur me shumë fat të dal nga vorbulla e dashurisë.
...
Zilja e telefonit më zgjoi.
Nuk di sa kisha fjetur, nuk dija as çfarë ore ishte.
-Po.
-Iliri.... Zëri matanë, që sinqerisht as e njoha dhe as e pyeta kush ishte, më dha një lajm të keq. U vesha shpejt e shpejt, pasi u lava sa për të freskuar fytyrën që të më dilte gjumi dhe dola nga shtëpia duke u mbërthyer nëpër shkallë.Iliri ishte në spital, diçka e keqe kishte ndodhur.
"O Zot, ruaji njerëzit e ndjeshëm nga vetja e tyre. Ata preken, ata kanë sedër, ata respektojnë dhe ua marrin për dobësi."
Ecja më shpejt, gati me vrap dhe shpresoja...
Jashtë dhomës, korridori ishte mbushur plot me njerëz.
Në dhomë, njerëz gjithashtu dhe Iliri që rrinte i shtrirë, i fashuar komplet. I dukej vetëm, goja, hunda dhe sytë, ndërsa mbi kokë aparatura mjekësore që e mbanin në jetë!
-Ne nga kulla e vrojtimit të kapitenerisë pamë një barkë peshkimi që po digjej dhe u nisëm direkt atje, por arritëm mbase vonë, më duket shumë vonë...-  po i shpjegonte një kolegut të tij, policit të rendit, çfarë kishin bërë, një oficer me veshje marine. Njerëzit përreth dëgjonin dhe askush nuk pipëtinte.
Sa shumë miq që kanë njerëzit e mirë, por që bëhen “të gjallë” tepër vonë, asnjëherë kur duhet...
Unë isha aty, dy metra larg e dëgjoja gjithçka, herë pas here ktheja kokën nga krevati i Ilirit dhe nuk dija ç’të mendoja. Herën e fundit u takuam në një lokal tjetër. Tek “Mediterran” ishim shumë miq me pronarin dhe ndjeheshim keq. Herë pas here ai na qeraste dhe ne ndjeheshim si përfitues, ndaj u larguam. Shkuam tek “Arragosta”, edhe ai një hotel-restorant i një miku, por aty rrinim jashtë dhe dukej sikur vala e detit që vinte në breg i zgjonte kujtimet. Ai më fliste pa pushim, më tregonte, por edhe pse e pyeta përse m’i thoshte mua, ai s’ma tha kurrë. Sot e kuptova përse-në.  Ai dëshironte t’i tregonte të gjithëve që po flijohej, sepse nuk jetonte dot dashurinë e tij, sepse ajo “Valë deti” s’mund të ishte e tij dhe kështu zgjodhi rrugën e flijimit për të jetuar përjetësisht me detin, të paktën kështu mendoja në atë moment! Herën e fundit Iliri më tregoi për një takim ku ai dhe dashuria e tij ishin takuar pas të ashtuquajturës zënkës së tyre të fundit.
Po e hedh këtu, ashtu siç ma tregoi ai, nuk jam në gjendje ta shkruaj ndryshe, apo ta tregoj në vetën e tretë. Ai më ka imponuar me këtë veprim ta shkruaj në vetën e parë.
Si ai mund të jem unë ,apo kushdo tjetër. Por s’di në do mundja të ndieja aq sa ai?!
Nuk e di sa dashuri ka secili nga ne dhe sa mund të falë?
Nuk e di, sa ndryshon nga njeriu tek njeriu, por të sakrifikohesh kështu, nuk e mendoja!
-Ajo kishte zënë vendin e Orkidesë në zemrën time.
- Kush është Orkidea?
-Do të ta them më pas, por më parë po të tregoj që unë kam pasur një të dashur në gjithë jetën time, para kësaj vale deti që më rrëmbeu dhe më futi në shpirtin e saj. Poet, kupton që ajo është shpirt njeriu?
-E  kupton që ajo, jo vetëm ka zemër, por ka shpirt dhe unë ia ndjeva?
- Si ia ndjeve? Si mundi kjo femër të të bëjë të harrosh një tjetër dashuri që ti e quan të madhe?- e pyeta duke parë sytë e tij që iknin sikur po udhëtonin në një ambient tjetër.

-Në lokalin ku ishim më parë, shkuam përsëri.Ajo ishte në merak, sepse unë s’kisha ngrënë, më shihte të dobësuar dhe më tha që jam bërë si kufomë. Ishim në një kafene e po sqaroheshim, por ajo e ndërpreu bisedën dhe më tha:
- Të të kërkoj një nder? Tani do të shkojmë diku e ti do më premtosh që do të hash, ok?
E si mund t’i thoja jo një ëngjëlli kështu, ajo po më lutej për të mirën time, pra ajo kishte mirësi, sepse s’dua të ngatërroj mirësinë me dashurinë. Kështu shkuam në një lokal dhe unë mora diçka për të ngrënë dhe të dy nga një gotë verë të kuqe. Folëm shumë, ne kemi një dialog të mrekullueshëm, flasim për tema në 360 gradë e nuk lodhemi asnjëherë.
Bile, hahaha,- e ndërpreu rrëfimin me një të qeshur Iliri, - qesha sepse unë them “bile”, dhe ajo më korrigjon, me “madje”, nejse...
Dalëngadalë unë iu afrova, e putha edhe ajo më puthi, u tërhoqëm si pa kuptuar dhe filluam të ndjeheshim si në një përrallë, trupat tona kërkonin afrimin, por e bënin mrekullisht nëpërmjet puthjes. Lëpija ato buzëqershi si të lyera me nektar dhe ndieja gjuhën e saj të më futej në gojë. I jepja timen dhe thitheshim, herë unë e herë ajo, lëshoheshim e tërhiqeshim. Buzët tona nuk ndaheshin... Shpirtrat hynin e dilnin nëpërmjet gojës dhe ndjeva dorën e saj pas kokës sime që më tërhiqte më fort drejt vetes.
Me njërën dorë i prekja gjoksin dhe tjetrën në shpatull e tërhiqja pas vetes...
Një herë unë e herën tjetër ajo me dorën në kokën time. Sa herë thithja unë shpirtin e saj, ndieja që ajo dridhej dhe unë përshpërisja: ”Jeta ime, zemër, shpirt, o këngë e bukur, o ëndërr perëndishë!” Nuk e di, por recitoja pa fund dhe ndieja shpirtin të më dilte e të futej tek ajo nëpërmjet gojës së saj. Ndjeva që edhe ajo përjetonte të njëjtën gjë!
Kështu vazhduam për më shumë se gjysmë ore gati si pa marrë frymë dhe nuk shikonim asnjë rreth vetes! Ishim bërë njësh në atë puthje dhe përreth asgjës’pipëtinte.
- Të të them diçka? Iliri po më merrte leje a thua se deri atëherë nuk kishte folur, por kuptova që dëshironte të më tregonte diçka të rëndësishme, ndaj i tunda kokën në shenjë pohimi. -Unë e ndjeva aq shumë, sa nuk kam ndjerë as në penetrim ndonjë më parë dhe u prisha! Ai uli kokën si i zënë në faj!
- Ëë... ç’ka këtu për t’u turpëruar, po kjo është mrekulli miku im, aq e bukur sa asnjë s’e beson.
-Po ajo? - Unë e ndjeva që edhe ajo, por  aty për aty s’e pyeta. Më vonë në telefon ajo më tha që më kishte ndjerë njëlloj si unë, dhe ishte lagur...
Atë darkë ne e mbyllëm telefonin me: “Natën zemër, natën shpirt, natën amore!”
- Vazhdo, po të ndjek,-  këmbëngula se nuk doja që kjo histori të mbaronte. Më kishte përpirë, po dëgjoja gjëra të çuditshme, ndjenja të mrekullueshme, dashuri si në përralla por pak të frenuara, mbase për vetë kushtet e mikes së tij të zemrës dhe unë si njeri i jepja të drejtë. Ajo që më mërziste ishte sepse Zoti nuk duhet t’i takojë njerëz me ndjenja të pastra kështu, ose në qoftëse ndodh siç ndodhi, nuk duhet t’i ndajë më!
Në këtë moment që po mendoja  ç’më kishte rrëfyer Iliri, ngrita kokën dhe shikimi m’u ndal tek  hyrja e dhomës  reanimatore. Një grua me flokë të gjata mbi supe, një symandarinë...
Atëherë...
U drejtova nga ajo dhe pa i thënë asgjë u fola njerëzve që pengonin kalimin:
- Ju lutem, hapuni pak, sa të kalojë kjo zonja, është një e afërme e Ilirit.
Njerëzit u hapën në çast dhe ajo u drejtua për nga shtrati.bE shihja nga pas dhe kujtoja fjalët e tij: "Ajo kur ecën më ngjan me një valë deti që po vjen duke vallëzuar drejt bregut!"
Ajo po ecte duke vallëzuar drejt shtratit të një njeriu që ishte vetëflijuar, sepse nuk jetonte dot pa dashurinë e tij.
Qëndroi tek koka e tij dhe heshtja në dhomë u bë si një varr plot me njerëz. U përkul mbi Ilirin dhe e puthi në buzë. Qëndroi ashtu duke e puthur për disa  minuta dhe ne pamë trupin, deri në atë moment pa jetë, të lëvizte. Duart e tij tërë fasho prekën duart e saj!
Ata po preknin me puthje shpirtrat e njëri-tjetrit! Ajo u ngrit dhe të gjithë ne pamë një lot të rrokullisej nga sytë e saj të bukur.
Nuk foli asnjë, asgjë nuk dëgjohej, ne kishim ndaluar së marri frymë.
-O shpirt, Iliri e kishte kuptuar nga puthja se kush ishte ...
Në dhomë filluan të dëgjoheshin ngashërimat e njerëzve të pranishëm, lotë që rridhnin pa pyetur. Ne po asistonim në një tragjedi, ku fatkeqësisht një dashuri e ndjerë deri në shpirt, kishte dërguar drejt vdekjes një burrë. I afruam një karrige “Valës së detit”, por ajo nuk pranoi të ulej, rrinte në këmbë pa folur dhe shtrëngonte dorën e tij, ndërsa nga sytë bishtmandarinë, loti nuk reshtte së rrjedhuri! Mes ngashërimave të njerëzve që nuk kontrolloheshin më, se asnjë nuk dinte se kush ishte ajo zonjë e fisme, u dëgjua një sinjal akustik; pip, pip, pip!  Një vizë e drejtë, e pandërprerë u pa në ekranin jeshil të aparaturës mbi kokën e Ilirit. Ajo u përkul dhe e puthi përsëri.
Bluzat e bardha rendën drejt Ilirit, që ndërkohë po puthej sërish me dashurinë e tij!
Dolëm të gjithë jashtë. Ajo nuk doli, i rrinte tek koka Ilirit  palëvizur. Nuk e di, ndoshta ndiehej në faj! Dashuronte ?! E pashë atë grua të derdhte lot për një burrë, që po flijohej, se e dashuronte më shumë se jetën e tij...
Ishte ngjethëse;  Të gjithë derdhnin lot. Ngjante me një funeral pa të vdekur, por jo pa  kandidat...  Edhe mua u mbushën sytë me lot.
- Ju zonjë, ju lutem dilni, na lini të merremi me të sëmurin, s’ka kohë, ju lutem,- mjeku i rojës po i fliste gruas që i rrinte te koka të sëmurit, por ajo  edhe pas urdhërit të mjekut nuk lëvizi,sikur nuk i kapte më sinjalet.
Në reanimacion hynë me vrap  infermieret me aparatura mbi  karrel  dhe dera mbyll. Gruaja Valë  deti doli  jashtë dhome  në sekondat e fundit e zbehtë.
- Dëshironi një kafe?- iu drejtova duke e parë në sytë e skuqur prej lotëve.
Ajo më pa për një çast në sy dhe pasi më vështroi disa sekonda, tundi kokën në shenjë pohimi. Mbase pa edhe ajo lot në sytë e mi, apo  ndoshta ndjeu që edhe unë e doja Ilirin.  U drejtova për tek Bari i spitalit  në katin e parë  dhe ajo më ndoqi pa folur. U ulëm në një tavolinë dhe porositëm dy kafe. Nuk dija se  si e pinte kafenë, por mendova se një kafe e fortë do t’i bënte mirë.
Zhurmat e bisedave të njerëzve të tjerë  nuk i dëgjonim. Ajo rrufiste kafenë pa folur dhe unë bëja të njëjtën gjë.  Nuk i bëra asnjë pyetje dhe ajo nuk foli.  Por ajo e ndiente që Iliri më kishte treguar  dicka. Ajo sikur më kuptonte, por nuk  e dinte që ai, kurrë nuk e kishte përmendur emrin e saj... Në mënyrë intuitive kisha shkuar drejt saj.
Papritur, ajo u çua në këmbë në shmangie të bisedës dhe më tha  “Faleminderit!” e mirësjellë dhe u drejtua  qetësisht,  për tek  Reanimacioni, teksa unë mbeta në Bar i heshtur. Ktheva kokën ta shihja tek ecte dhe pashë përkundjen e belit , vërtet siç thoshte Iliri; si një valë deti...
U ngjita në koridorin e katit dytë  dhe  njerëzit ishin po aty në pritje.
- Nëna e  Ilirit hyri brenda duke qarë e shoqeruar nga ajo gruaja, -më  përshpëriti në vesh   njëri nga  miqtë e Ilirit por dera e mbyllur nuk na lejonte të shihnim asgjë.
U tërhoqa në një qoshe të sallonit të pritjes së njerëzve dhe ndeza abuzivisht një cigare, edhe pse  nuk lejohej, por unë e doja pak helm... Sa shumë pyetje kisha dëshirë t’i bëja asaj gruaje, sa shumë, por një e doja dhe vendosa t’ia bëj, sapo të dilte nga dhoma.
Ndërsa thithja cigaren si një i çmendur, gati pa e hequr nga goja, një djalë i ri më afrohet.
- Më falni, kam diçka për t’ju dhënë dhe më zgjati një Cd.
- Unë s’di asgjë, - më tha ai duke më parë me sy të trishtuar. Nuk e di as çfarë është kjo. Ma ka dhënë Iliri para dy ditësh në një zarf, ku më shkruante që të ta jap ty sot. E ke të shkruar me datë dhe orë brenda në zarf. Më fal që e hapa, por ai më tha ta hap që të lexoj emrin tënd. Unë ju njoh dhe më vjen keq që u takuam në rrethana të tilla.
Atë djalë edhe unë e njihja, apo u kujtova ndërsa më foli. Në takimin e fundit me Ilirin ata u përshëndetën teksa po ecnim në shëtitoren Taulantia, por s’dija si quhej dhe kush ishte. E falënderova dhe  bëra këmbë  nga dalja e spitalit. Pastaj vrapova duke bërë pesë shkallë në zbritje njëherësh , pasi më  duhej të gjeja urgjent një kompjuter
-Më fal, - iu drejtova kamarierit tek Bari i spitalit, - ku mund të gjej një kompjuter?
-Këtu s’ka, por aty tek dalja e spitalit ke një pikë interneti , -m’u përgjgigj ai .
Shkova me vrap për  atje ku më tregoi kamarieri dhe përballë m’u shfaq ajo zyrë modeste  interneti. Cd-ja u hap me padurimin tim në kulm
Poet, o  miku im !
Tani që po lexon këto rreshta unë nuk jam më në jetë...Kështu e vendosa . Dhe të lutem si shok, si mik, mos më gjyko! Lutju edhe të tjerëve të mos më gjykojnë.
Nuk dua të them asgjë më shumë  nga  çfarë të kam treguar dhe kësaj që po të jap sot që të lexosh. Të lutem,  krijo diçka të bukur, realiste. Asnjë lloj fantazie nuk dua. Le ta marrin vesh të gjithë se çfarë ndodhi, asnjë e pavërtetë dhe e  pajetuar. Edhe kur kam pasur hamendësime, unë e kam shprehur qartë.  Pra, të lutem, dua diçka realiste!
Unë ...
Vazhdova të lexoj ngjarjet që Iliri m’i kishte shkruar aty, të rreshtuara dita-ditës si të kisha mbajtur  ditar. Lexoja me vëmendje dhe kureshtje gjithçka, nën peshën  amanetit të njeriut që s’është më. Ilirin e kishte mbytur xhelozia.  Por ajo që më ra në sy dhe e rilexova disa herë, ishin dy-tri rrëfime që më bënë të reflektoj e të përsëris me vete:
-Përse ?  Përse një njeri duhet të jetë kaq cinik!?
(Ndaj gjithçka kam shkruar më sipër, e kam rrëfyer ashtu siç ma ka rrëfyer miku im, për respekt dhe nder të tij.)
Pasi e lexova u ngrita  nxitimthi se doja të mos humbisja mundësinë për ta riparë  atë grua që e kishte bërë të lumtur shokun tim, por edhe e kishte çuar  në çmendurinë e  . të humbjes së jetës.
Më duhej të lajmëroja edhe Orkidenë. Në Cd, Iliri më kishte rrëfyer për dashurinë e madhe të jetës së tij dhe më kërkonte që ta lajmëroja.
Kush ishte Orkidea??





MALLKIMI I SHEN VALENTINIT


MALLKIMI I SHEN VALENTINIT 
Novele

pjesa e dyte



SHEN VALENTIN
14 shkurt...

Kafen e mëngjesit e pimë së bashku dhe unë i dhurova një tufë me lule, një buqetë me trëndafila, karafila, manjola e lule të tjera. I përgatita me kujdes që të ishin nëntë, (numri perfekt në numerologjinë e numrave.) I dhurova edhe një buqetë shoqes së saj që ishte gjithmonë  e gjendur me ne, me të cilën kishte lindur një shoqëri e pastër.
E vlerësoja atë vajzë, se ishte tip i qeshur dhe me një lloj lirshmërie në sjellje, që sipas “Valës së detit”, s’e kishte me miq të tjerë të tyre. Ishte aq e lirshme saqë edhe në të shprehur ishte "pa tabu", tamam si dy miq të vjetër. Kjo më bënte që të rrija lirshëm edhe me të, madje shpesh i mbaja iso në fjalorin e saj, të ashtuquajturin vulgar, por që bisedat tona i bënte hokatare dhe të këndshme. Ajo dhe unë i përdornim vetëm për gallatë dhe në momentet e duhura, sidomos kur fliste për ndonjë mike të tyre... I shpotonte me thumba fjalësh të "atilla" dhe çdo fjalë të dukej në vendin e duhur...
-Kur ndonjëra më thotë, që s'jam e bukur, e di si i përgjigjem ?
- Jo, s'kam si ta di!
- S'kam ç'e dua bukurinë, unë bëj seks në mënyrë të mrekullueshme,- fjalët e fundit i thonin të dyja në kor dhe të treve na përfshinte e qeshura në mes të lokalit, apo në makinë, kudo që të ishim. Ajo ishte në dijeni tashmë, dhe sa herë më përcillnin tek autobusët për në Durrës, më shihte të përmalluar, që po ndahesha me shpirtin tim. Ndieja që i vinte keq për mua që dashuroja aq shumë. Në fillim unë s'mund ta kuptoja këtë formë keqardhjeje, më vinte habi! Nuk kishte përse të ndiente keqardhje, përkundrazi, duhej të ishte e lumtur që shoqja e saj kishte dikë që e dashuronte kaq lumturisht. Në ato momentet e fillimit më pëlqente ta quaja si një tip vlersimi apo lumturie për shoqen e saj. Më vonë e kuptova përse-në e kësaj keqardhjeje...
- Pse keqardhje?-pyes i ngutur.
- Duro se do të ta them. Mos më humb fillin e mendimeve.
Në një rast, kur unë dhe dashuria ime patëm përplasjen e parë verbale me fjalë, unë dyshova se ajo ishte shkaktarja e mos takimit me mua, si të shpjegohem?! Më dukej se, për të ndenjur me shoqen e saj, ajo ishte e detyruar të mos rrinte me mua, sepse natyrisht shoqja kishte jetën e saj private dhe mbase, është normale, nuk dëshironte që unë të dija më shumë për këtë gjë, kështu më evitonin mua për të ndenjur së bashku.
-Je i sigurtë që nuk bëhet fjalë për një mashkull tjetër kur të evitonin!?
-Jo, absolutisht jo, nuk ka lidhje asnjë mashkull tjetër, për këtë jam i sigurtë! I sigurtë nuk mund të jesh kurrë njëqindpërqind, por kështu mendoj.
-E përse duhej  Ilir ?
- Ajo ka një reputacion dhe një jetë aktuale për të mbrojtur, ruajtur, në mos për moral, të paktën për imazh. Jo, në fakt ajo është ndryshe, ajo nuk është femër kurvë... (Nëse ti e ke fjalën për këtë e s’po ma thua dot! ) Pasi pimë kafen, e lamë të shihemi në drekë. Gjithmonë më pak rezerva, sepse siç dukej, ato i kishin bërë planet e tyre pa mua. Dhe kjo u duk që aty në kafen e mëngjesit, që dalëngadalë e humbi atë bukurinë e takimit. Madje në do ta dish, kafeja e mëngjesit u pi me shumë vonesë, pas një pritje përtej dy orësh, por unë nuk e kisha problem. Kisha pritur një jetë për ta takuar e kështu  do ta prisja edhe më shumë po të ishte nevoja, por, më habiti  fakti, që nuk ishte e vendosur në do takoheshim dhe do të festonim së bashku?!
-Po mirë, ti nuk e kishe llogaritur që ajo kishte një burrë?
-Po ajo shoqja e saj, a ishte e martuar?- i drejtova Ilirit dy pyetje njëherësh
-Po. Edhe ajo është e martuar, -i ra shkurt ai
-Po ajo, kishte ndonjë lidhje jashtë martese?
-Mbase, më duket se po, por po them që nuk e di. Dhe në fakt, nuk e kam pyetur as atë ndonjëherë. Nuk më ka interesuar ajo, por e kam parë që rri tërë kohën me celular në dorë duke chatuar me sms. Mua më mjaftonte që ajo na shoqëronte të mos binim në sy dhe na kënaqte me humor e me biseda të këndshme. Shpesh ishte dhe katalizator, sidomos kur gjendja ishte e nderë. Ajo i fuste ndonjë batutë e gjithçka kalonte.
Atë ditë ishte ndryshe. E ndieja që s’do ta takoja, por e lamë të dëgjoheshim në telefon, edhe pse kohët e fundit për shkak të disa xhelozirave të mia, telefoni dhe mesazhet ishin bërë objekt grindjesh, por “Vala e detit”, si shpirt, më thoshte që s’i ngel hatri nga unë dhe s'do të mërzitej kurrë me mua. Ajo e dinte që i kisha pa të keq ato lloj zënkash pesëminutëshe.
Në drekë pas një  komunikimi të vazhdueshëm ndërsa ajo punonte, pati një "black-out"!
Ajo më tha që do të më telefononte, por në fakt nuk më telefonoi. Unë prita e prita dhe asnjë telefonatë nuk më erdhi.
Pas dy orësh më vjen një mesazh si përgjigje e insistimit tim:
- Jam me burrin!
Ika, ika prej nga erdha, ika si një tymnajë që zjarri nuk i shihet, por që ishte kthyer në vullkan e mezi po priste të shpërthente, por u përmbajta.
Pasditë vonë shpjegimi.
Shoqja e saj me të shoqin, me burrin e “Valës së detit”, i kishin bërë një surprizë feste dhe kishin shkuar të katër të festonin Shën Valentinin!
-Po këtë ti duhej ta prisje, ato ishin të martuara!
-Po, por mënyra e komunikimit, heshtja dhe mos shpjegimi më kishin çuar të dërgoja disa mesazhe pak djegëse dhe mosbesuese me xhelozi dhe ajo ishte fyer e kjo shkaktoi një çarje mes nesh. Fyerja qëndron se shoqja e saj e dinte që unë prisja ta festonim së bashku dhe si princip, të paktën një lajmërim duhej të ma bënin.
Por çarja e këtij raporti të bukur, ndodhi më 14 Shkurt, në festën e të dashuruarve!
Më pas, në ditët në vazhdim, ajo refuzoi të vazhdonte komunikimin dhe unë rashë në depresion, u mbylla në shtëpinë time dhe nuk komunikoja me asnjë.
E vështroja Ilirin në fytyrë, e ndieja që ai po përjetonte trishtim për atë ditë, që duhej të kishte qenë dita e festës së dashurisë së tij!
-Ajo ditë,- vazhdoi ai,- më është kthyer prej vitësh  një mallkim. Atë ditë s’e kam festuar kurrë më...
Më ka ndodhur gjithnjë diçka që më ka prishur të gjitha planet. Duket sikur Zoti, sa sheh që jam i lumtur më dërgon mallkimin dhe gjithçka prishet...
Unë ia vura fajin, "prishjes së magjisë", shoqja e saj s’duhej të dinte se çfarë bënim ne, jo se kisha problem atë, e kisha thjesht në princip: Magjia ekziston vetëm kur nuk e dimë se çfarë është. Kur e marrin vesh të tjerët ajo prishet. Bëhet si një gjë që ia dimë sekretet dhe në këtë rast ndodhi pak a shumë e njëjta gjë...

Pas dy ditësh dera e shtëpisë sime gati sa nuk u shemb nga të trokiturat.
Mezi u ngrita të hap derën. Kokën e kisha daulle,  pa rruar, pa larë,  si një dervish.
Një miku im, që e kam si vëlla, Adriani, ai doktori, ishtë bërë merak dhe erdhi të më shohë. Ti e njeh, me të cilin dalim herë pas herë nga Vollga. Jemi përshëndetur kur kam qenë me të, të kujtohet?
-Po, e kam parasysh për kë thua. Nuk kam konfidenca, por njihemi.
E pra, Adriani e ndjeu katastrofën time, depresionin, dhe  më dërgoi në spital, ku më bënë një ndërhyrje pastrimi nga ilaçet e tepërta antidepresive që kisha pirë. Më pas erdhëm në shtëpi, ku më vizitoi një doktor psikiatër a psikolog, s’e di! Fola pak me të, ndonjë orë pak a shumë. Ai ishte burrë i zgjuar, më dëgjonte dhe e ktheu në një komunikim shoqëror, shumë miqësor, pastaj më dha disa ilaçe e më këshilloi të dal  shëtitje buzë detit. Por unë nuk dola: dikush tjetër do të mund t’ më shëronte! Ajo ishte ilaçi im më i mirë, ajo ishte bregu i detit, ajo ishte vala e detit, ajo ishte ajri që më mbushte me oksigjen, ajo ishte jeta ime, pa të nuk doja të jetoja...
Iliri ishte mbushur me lot, unë nuk mund të flisja. Nuk munda as ta pyesja pse e pastruan nga ilaçet e tepërta në spital, çfarë kishte bërë edhe pse e merrja me mend, por unë po asistoja në një rrëfim të dhimbshëm dhe nuk flisja. Një ngërç më kishte mbërthyer prej fyti, nuk po mendoja. Isha një njeri–makinë që dëgjoja dhe vështroja një njeri që fliste për dashurinë si burimi i vetëm i jetës së tij dhe mendova: -”Po Ajo, ‘Vala e detit’, a e dinte këtë gjë?”
Iliri ishte mbytur në dënesë ngashërimi dhe dëgjohej vetëm ngërçi i zërit të tij që qante dhe nuk qante, asnjë pikë lot nuk i dukej, por ndiehej, shpirti i tij ishte një qiell i madh me ujë shumë të kripur ...



Kapitulli II

“...Pa kokë!
Një ditë, nisur me agim të pritur, zgjuar.
Një ditë, e parandjerë si një lëmsh i zjarrtë.
Një agim, ardhur i zbehtë dhe me mjegull.
Me mjegull, si një e mallkuar natë...”


Këto rreshta shkrova në mëngjes, ndërsa nisesha për në Tiranë.
- Vargje të bukura edhe pse të trishta. Pse s'më thua, si ka mundësi që ti me këtë shpirt kaq të ndjeshëm, nuk shkruan poezi ?
- Tirana pa atë kaosin e makinave në mëngjes është e bukur.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes sime, por vazhdoi rrëfimin:
- Nuk e di, por më ngjan se ndiej erën e mimozave kur jam aty, mbase ndjesi e mbetur që në rininë time studentore, kur sapo dilnim nga fjetoret, përballë, shumë pemë mimozash, na përkëdhelnin me aromën e tyre të patjetërsueshme.
Shkova drejt e në rrugët e kujtimeve të atyre viteve, ndoshta sepse kur ke shpirtin në ankth, dëshiron ta rifillosh aty ku ke humbur, apo ndoshta sepse për ironi të fatit, edhe ankthi i ri "thith të njëjtin ajër", në të njëjtat rrugica!
E mendova shumë këtë rastësi këto ditë. Jo, e mendoj akoma, është thjesht rastësi.
-Pse, kjo "Vala e detit" e ka shtëpinë në të njëjtin vend me ndonjë ish-tëndin?
Iliri tundi vetëm kokën në shenjë pohimi dhe vazhdoi:
-Pasi piva një kafe, diku ku isha mësuar vetëm thjesht të kaloja vëzhgues me nxitim, me vështrimin ngulur diku gjetkë, sikur do të më jepte shpjegim ajo hapësirë që na ndante, apo sikur prisja të shihja dikë që më kishte marrë vërtet tmerrësisht malli, shoh një laptop!
- Një laptop?
-Po, po, një kompjuter në një tavolinë ngjitur me mua!
I pacipë i afrohem.
-Më fal, ka mundësi të ma kalosh pak kompjuterin, sa të shoh postën? Kam dalë herët nga shtëpia dhe s’munda të futem. Nëse nuk të bezdis do të më bëje nder!
Djali i ri që po kalonte kohën e tij në Facebook, sipas ekranit, qeshi lirshëm dhe m’u përgjigj:
- Po më, pse jo. Një minutë të dal pak nga këto aplikacionet e mia dhe ta kaloj.
U ula në tavolinën time ngjitur dhe mendoja: “O Perëndi, s’e kam bërë kurrë këtë!
Sa gjëra nuk kemi bërë në jetë më parë, sa? Dhe vjen një moment që sillemi si adoleshent pa kuptuar nëse bëjmë mirë apo keq. Thjesht ndiejmë dhe bëjmë atë që na jep ndjesia!”
-Urdhëro, - djali më zgjati kompjuterin me një buzëqeshje të thjeshtë,- vazhdo i qetë, pa problem! Sikur të kishte lexuar mendimet e mia!
Hyra direkt në Facebook dhe shkrova urimin e ditës së re. Kisha kohë që nuk e bëja. E shkrova për të gjithë sinqerisht, por më shumë qe “një heshtje” e derivuar ndoshta dhe nga unë apo nga një e vërtetë që rri varur, si në mendjen time ashtu dhe në realitet, të kuptonte, që unë isha një puthje larg, një rrahje e zemrës sime larg...
-Pse isha aty!? S’e di, mbase sepse ndjenja s’ka moshë, mbase sepse nuk arrij të urrej atë ç’ka dua më shumë se jetën time, mbase sepse më mungon simfonia e zërit të saj, heshtja folëse, apo evaziviteti i pakuptimtë gërricës deri në alarm çmendurie, nuk e di, e kotë të them përse! As tani nuk e di këtë “përse”? Ose mbase e di, por nuk e kuptoj çfarë di e çfarë duhet të di!
Iliri ishte konfuz. Ai akoma notonte në dilemat e kurrëshpjegueshme të dashurisë dhe nuk e kuptonte që s'do ta gjente kurrë bregun e këtyre dilemave, ashtu si më parë të tjerë njerëz janë munduar në të gjitha kohërat.
Kjo ndjenjë kaq e bukur është ndërtuar në absurdin e jo logjikës, në çmenduri dhe aty ku merr jetë, pikërisht aty vdes, për të rilindur gjetkë si një fëmijë që nuk di asgjë, nuk ka parë asgjë. Kjo ndjenjë të bën të harrosh pësimet e mëparshme për të jetuar diçka të re deri në pësimin e radhës...

-Pasi shkrova diçka dhe lexova ç’më interesonte, -vazhdoi Iliri, - mbylla lidhjen me internetin dhe ia ktheva të zotit, i cili po me atë buzëqeshje të qetë, pranoi falenderimin tim thjeshtë me: “S’ka përse!”
U ula jashtë dhe porosita një kafe tjetër, e treta në më pak se një orë!
-Pse isha aty, ç’po kërkoja!?
Dy ditë më parë isha në qiellin e shtatë, ndërsa atë pasdite në ferrin e Dantes dhe në darkë mjegulla më mbuloi trup e mendje me urrejtje!
Një ditë më pas në kërkim të një vërtetë që më mbushte më inate dhe skenare të denja për filmat me 007!
Sot këtu, me një dëshirë të përmallueshme për të parë “Pikën e lotit”, "Trëndafilin e egër dhe të butë", "Valën e detit"!
Ndoshta një e fshirë gomë do t’i bënte zero të gjitha, po kush!?
Unë që jam dhe s’jam, apo “Pika e lotit”  mbase është derdhur e pa faj?
Apo ka faj!?
O Zot, çfarë dilemash!
Shekspiri në këtë rast, do të shkruante realisht pa fantazi një kryevepër tragjike!
-Këtë po mendoja para disa minutash, ndërsa të dëgjoja të ripyesje veten se përse ishe aty? Dhe mendoj se as ti dhe askush nuk e ka gjetur përgjigjen më parë dhe s'do ta gjejnë as më pas...
-Dikur, shumë vite të shkuara i kam thënë një njeriu shumë të afërm timit, një njeriu që më mungon që nga vdekja e tij aq shumë, sa shpesh më lë pa frymë vetëm kujtimi i tij:  Zoti më parë të merr mendjen, pastaj reston!"
-Po pastaj?
-Pse jam këtu dreqi e mori!?- Iliri vazhdoi pikërisht aty ku e la sikur nuk kishte dëgjuar asgjë nga ato që i thoja unë, ai përjetonte çfarë kishte ndjerë dhe çdo gjë tjetër ishte e parëndësishme...
Këtë pyetje e  kam bërë atë mëngjes aq shumë sa nuk e mbaj mend, por shumë, dhe çuditërisht fillova të recitoj vargje, që i krijoja aty për aty, si një poet i afirmuar, sikur isha në vendin tënd, miku im. Iliri më vështronte. Unë shihja sytë e tij tashmë të skuqur që shkëlqenin. Vetëm dashuria që kishte për atë grua e bënte t’i shkëlqenin sytë mbi kripën e lotëve të derdhura pak më parë.

"Sa herë kam mall për ty,
jashtë bie shi!
Çudi, kohët e fundit,
bie shi edhe kur jam me ty!"

Këtë recitova atë ditë dhe vërtet kisha mall.

Dielli ishte ngritur goxha në kupolën qiellore dhe  kishte filluar të bënte shumë vapë, por çuditërisht mua më dukej se binte shi. Më dukej se isha lagur nga koka tek këmbët!
- Binte shi?
-Jo, shpirti im ishte në lot!

Një telefonatë më zgjoi:- Hë mo, ku je?
Ishte një kolegu im që më shoqëroi në mëngjes në Tiranë. Ai kishte mbaruar punë, pasi i thashë ku ndodhesha dhe e ftova të vinte aty të më merrte, u përqëndrova në hapësirën që na ndante, atë që mendoja se na ndante. Apo nuk është vetëm hapësira ajrore që na ndan?
M’u duk sikur po e puthja atë hapësirë, njëlloj sikur buzët e saj... U futa si një i mallkuar në ato puthje të mbetura si “gozhda e Nastradinit”...
- Pse si "gozhda e Nastradinit"?
-Sepse ishin të dhëna me shpirt e ndjenjë të padiskutueshme. Shumë më pas të refuzuara, disa të rrëmbyera, por të dhëna gjithsesi! Teksa prisja kolegun tim u riktheva me mendje në ato çaste përjetimi ku kisha ndjerë orgazëm, ose gati një të tillë duke u puthur me afsh e ndjenjë, u ktheva në ato prekje që alteronin euforinë dhe shtonin rrahjet e zemrës...
Gati-gati po i harroja edhe unë ato momente që betohesha me urrejtje, shaja dhe mallkoja!
Boria e makinës më zgjoi përsëri, ishte miku im! Pagova dhe u ngrita me vështrimin atje.

Heshtja ime në vështrim hapsinor, fliste më shumë. Si të gjitha heshtjet që nga krijimi i njerëzimit. Heshtja ime dërgonte mesazhe dhe një Zot e di nëse arritën në destinacion, por rrahja e zemrës ngjante se po më dërgonte marrjen e mesazhit...
"Të urrej sepse të Dua sa Jetën!"
Hipa në makinë dhe u kthyem drejt Durrësit në një heshtje që shokut tim i ngjau si ceremoni varrimi dhe me të qeshur më tha:
- Kur të arrijmë në Durrës do të më japësh paratë e rrugës. Shokun në makinë e dua komunikues si gjithmonë, pasagjerit të panjohur do t’i marr lekë, hahaha!

Iliri, që siç duket mbaroi së rrëfyeri këtë copëz nga jeta e tij  dhe më vështronte në sy për të kuptuar çfarë mendoja!
Unë nuk fola, s’dija ç’të mendoja! E kisha ndërprerë dy-tri herë, sepse rrëfimi i tij shpesh më fuste në mendime dhe sinqerisht i përjetoja ato që ai tregonte, sa më dukeshin se i kisha jetuar unë e jo ai.
Ktheva kokën nga deti: zbaticë!As ky mik i përjetshëm i njeriut nuk dinte të më këshillonte ç’të mendoja, madje ishte në zbaticë për vete...

-Mos vallë dhe Deti është i dashuruar si ti, miku im, iu ktheva Ilirit dhe ka filluar të dobësohet ?- duke qeshur në hall ...
Bëmë dy fotografi me Ilirin në atë ambient të bukur bregdeti me diell dhe duke lënë takim për pasdite, u ndava nga miku im me shpirt të bukur që dashuronte dhe vuante...


-Si ka mundësi, të gjithë ata që dashurojnë vuajnë, përse vallë kjo ndjenjë kaq madhështore i bën të vuajnë, aq sa dhe ferrin piktorët e ngjyrosin me të kuqen e dashurisë!?"
Nxitova për në shtëpi. Duhej të hidhja në letër çfarë dëgjova nga goja e mikut tim deri pak çaste më parë. Nuk dija akoma si do ta titulloja këtë tregim të bukur dhe të trishtë njëkohësisht, por një gjë e dija me bindje, do ta rrëfeja ashtu siç ma tregoi ai. Madj,e edhe dialogjet dhe monologjet do t’i rindërtoja, siç m’i tregoi, ndaj nxitova.
-"Përse të bëhej xheloz ai për një grua të martuar, që po i falte çaste të mrekullueshme?!" Ndërsa ecja, mendimet filluan të më torturonin trurin. Kam përjetuar edhe unë flirte të tilla me ndonjë grua të martuar, por nuk e kam vrarë kurrë mendjen se ka një lidhje tjetër përveç meje apo jo. Fakti që është flirt nuk duhet të mbajë xhelozi brenda llojit: Apo jo...?
(Unë dhe mendja ime filluam debatin.)
-“Pse jo? A nuk po tradhëton burrin kjo grua e martuar? Përse nuk jemi xhelozë për bashkëshortin e saj, me të cilin ajo fle çdo natë në krevat?
-Po burri nuk quhet. Ai është si një lloj manikini për të cilin kemi vetëm idenë e egzistencës dhe nuk llogarisim asgjë tjetër. Duke e tradhëtuar ajo, gruaja, e ka vënë bashkëshortin në këtë pozicion. I druhemi xhelozisë së tij, por s'jemi xhelozë për të.
-Absurd!
-Personi i tretë po. Ai na bën konkurencë dhe këtu hyn egoja e mashkullit. Kjo i ndodh edhe femrës kur është e lidhur me një burrë të martuar.
-Absurd!
-Mund të jetë absurd, dhe në fakt është, por është realitet!
- Është relative kjo, si mendimi edhe ky realitet. Varet nga shumë faktorë dhe s'mund të gjykohen. Absurd është si veprim, por janë të pagjykueshëm nga personat e tretë."
E lashë debatin në mendjen time "i humbur". Logjika nuk kishte asnjë sens, pikërisht sepse ishte përpara disa sjelljeve njerëzore të palogjikta. Aty ku hyn ndjenja, logjika nuk vepron.
Ndërsa hyja në shtëpi m’u kujtua ajo shprehja e famshme:
"Të tjerë duam, të tjerë na duan dhe me të tjerë martohemi."
-Po pse martohemi me persona që nuk duam?
-Apo dashuria për to merr fund, kur fillojmë e bashkëjetojmë?!



Në vazhdën e atyre që kam mësuar, dhe pas të të shumtave që s'kam mësuar, po ju them se: - Askush nuk i do servilët, por të gjithëve u ...