MALLKIMI I SHEN VALENTINIT
Novele
pjesa e dyte
SHEN VALENTIN
14 shkurt...
Kafen e mëngjesit e pimë së bashku dhe unë i dhurova një
tufë me lule, një buqetë me trëndafila, karafila, manjola e lule të tjera. I
përgatita me kujdes që të ishin nëntë, (numri perfekt në numerologjinë e
numrave.) I dhurova edhe një buqetë shoqes së saj që ishte gjithmonë e gjendur me ne, me të cilën kishte lindur
një shoqëri e pastër.
E vlerësoja atë vajzë, se ishte tip i qeshur dhe me një
lloj lirshmërie në sjellje, që sipas “Valës së detit”, s’e kishte me miq të
tjerë të tyre. Ishte aq e lirshme saqë edhe në të shprehur ishte "pa
tabu", tamam si dy miq të vjetër. Kjo më bënte që të rrija lirshëm edhe me
të, madje shpesh i mbaja iso në fjalorin e saj, të ashtuquajturin vulgar, por
që bisedat tona i bënte hokatare dhe të këndshme. Ajo dhe unë i përdornim vetëm
për gallatë dhe në momentet e duhura, sidomos kur fliste për ndonjë mike të tyre...
I shpotonte me thumba fjalësh të "atilla" dhe çdo fjalë të dukej në
vendin e duhur...
-Kur ndonjëra më thotë, që s'jam e bukur, e di si i
përgjigjem ?
- Jo, s'kam si ta di!
- S'kam ç'e dua bukurinë, unë bëj seks në mënyrë të
mrekullueshme,- fjalët e fundit i thonin të dyja në kor dhe të treve na
përfshinte e qeshura në mes të lokalit, apo në makinë, kudo që të ishim. Ajo
ishte në dijeni tashmë, dhe sa herë më përcillnin tek autobusët për në Durrës,
më shihte të përmalluar, që po ndahesha me shpirtin tim. Ndieja që i vinte keq
për mua që dashuroja aq shumë. Në fillim unë s'mund ta kuptoja këtë formë
keqardhjeje, më vinte habi! Nuk kishte përse të ndiente keqardhje, përkundrazi,
duhej të ishte e lumtur që shoqja e saj kishte dikë që e dashuronte kaq lumturisht.
Në ato momentet e fillimit më pëlqente ta quaja si një tip vlersimi apo
lumturie për shoqen e saj. Më vonë e kuptova përse-në e kësaj keqardhjeje...
- Pse keqardhje?-pyes i ngutur.
- Duro se do të ta them. Mos më humb
fillin e mendimeve.
Në
një rast, kur unë dhe dashuria ime patëm përplasjen e parë verbale me fjalë,
unë dyshova se ajo ishte shkaktarja e mos takimit me mua, si të shpjegohem?! Më
dukej se, për të ndenjur me shoqen e saj, ajo ishte e detyruar të mos rrinte me
mua, sepse natyrisht shoqja kishte jetën e saj private dhe mbase, është
normale, nuk dëshironte që unë të dija më shumë për këtë gjë, kështu më
evitonin mua për të ndenjur së bashku.
-Je
i sigurtë që nuk bëhet fjalë për një mashkull tjetër kur të evitonin!?
-Jo,
absolutisht jo, nuk ka lidhje asnjë mashkull tjetër, për këtë jam i sigurtë! I
sigurtë nuk mund të jesh kurrë njëqindpërqind, por kështu mendoj.
-E
përse duhej Ilir ?
-
Ajo ka një reputacion dhe një jetë aktuale për të mbrojtur, ruajtur, në mos për
moral, të paktën për imazh. Jo, në fakt ajo është ndryshe, ajo nuk është femër
kurvë... (Nëse ti e ke fjalën për këtë e s’po ma thua dot! ) Pasi
pimë kafen, e lamë të shihemi në drekë. Gjithmonë më pak rezerva, sepse siç
dukej, ato i kishin bërë planet e tyre pa mua. Dhe kjo u duk që aty në kafen e
mëngjesit, që dalëngadalë e humbi atë bukurinë e takimit. Madje në do ta dish,
kafeja e mëngjesit u pi me shumë vonesë, pas një pritje përtej dy orësh, por
unë nuk e kisha problem. Kisha pritur një jetë për ta takuar e kështu do ta prisja edhe më shumë po të ishte
nevoja, por, më habiti fakti, që nuk
ishte e vendosur në do takoheshim dhe do të festonim së bashku?!
-Po mirë, ti nuk e kishe llogaritur që ajo kishte një
burrë?
-Po ajo shoqja e saj, a ishte e martuar?- i drejtova
Ilirit dy pyetje njëherësh
-Po. Edhe ajo është e martuar, -i ra shkurt ai
-Po ajo, kishte ndonjë lidhje jashtë martese?
-Mbase, më duket se po, por po them që nuk e di. Dhe
në fakt, nuk e kam pyetur as atë ndonjëherë. Nuk më ka interesuar ajo, por e
kam parë që rri tërë kohën me celular në dorë duke chatuar me sms. Mua
më mjaftonte që ajo na shoqëronte të mos binim në sy dhe na kënaqte me humor e
me biseda të këndshme. Shpesh ishte dhe katalizator, sidomos kur gjendja ishte
e nderë. Ajo i fuste ndonjë batutë e gjithçka kalonte.
Atë
ditë ishte ndryshe. E ndieja që s’do ta takoja, por e lamë të dëgjoheshim në
telefon, edhe pse kohët e fundit për shkak të disa xhelozirave të mia, telefoni
dhe mesazhet ishin bërë objekt grindjesh, por “Vala e detit”, si shpirt, më
thoshte që s’i ngel hatri nga unë dhe s'do të mërzitej kurrë me mua. Ajo e
dinte që i kisha pa të keq ato lloj zënkash pesëminutëshe.
Në
drekë pas një komunikimi të vazhdueshëm
ndërsa ajo punonte, pati një "black-out"!
Ajo
më tha që do të më telefononte, por në fakt nuk më telefonoi. Unë prita e prita dhe asnjë telefonatë nuk më erdhi.
Pas dy orësh më vjen një mesazh si përgjigje e insistimit
tim:
- Jam me burrin!
Ika, ika prej nga erdha, ika si një tymnajë që zjarri nuk
i shihet, por që ishte kthyer në vullkan e mezi po priste të shpërthente, por u
përmbajta.
Pasditë vonë shpjegimi.
Shoqja e saj me të shoqin, me burrin e “Valës së detit”,
i kishin bërë një surprizë feste dhe kishin shkuar të katër të festonin Shën
Valentinin!
-Po këtë ti duhej ta prisje, ato ishin të martuara!
-Po, por mënyra e komunikimit, heshtja dhe mos shpjegimi
më kishin çuar të dërgoja disa mesazhe pak djegëse dhe mosbesuese me xhelozi
dhe ajo ishte fyer e kjo shkaktoi një çarje mes nesh. Fyerja qëndron se shoqja
e saj e dinte që unë prisja ta festonim së bashku dhe si princip, të paktën një
lajmërim duhej të ma bënin.
Por çarja e këtij raporti të bukur, ndodhi më 14
Shkurt, në festën e të dashuruarve!
Më pas, në ditët në vazhdim, ajo refuzoi të vazhdonte
komunikimin dhe unë rashë në depresion, u mbylla në shtëpinë time dhe nuk
komunikoja me asnjë.
E vështroja Ilirin në fytyrë, e ndieja që ai po
përjetonte trishtim për atë ditë, që duhej të kishte qenë dita e festës së
dashurisë së tij!
-Ajo ditë,- vazhdoi ai,- më është kthyer prej vitësh një mallkim. Atë ditë s’e kam festuar kurrë
më...
Më ka ndodhur gjithnjë diçka që më ka prishur të gjitha
planet. Duket sikur Zoti, sa sheh që jam i lumtur më dërgon mallkimin dhe
gjithçka prishet...
Unë ia vura fajin, "prishjes së magjisë",
shoqja e saj s’duhej të dinte se çfarë bënim ne, jo se kisha problem atë, e
kisha thjesht në princip: Magjia ekziston vetëm kur nuk e dimë se çfarë është.
Kur e marrin vesh të tjerët ajo prishet. Bëhet si një gjë që ia dimë sekretet
dhe në këtë rast ndodhi pak a shumë e njëjta gjë...
Pas dy ditësh dera e shtëpisë sime gati sa nuk u shemb
nga të trokiturat.
Mezi u ngrita të hap derën. Kokën e kisha daulle, pa rruar, pa larë, si një dervish.
Një miku im, që e kam si vëlla, Adriani, ai doktori,
ishtë bërë merak dhe erdhi të më shohë. Ti e njeh, me të cilin dalim herë pas
herë nga Vollga. Jemi përshëndetur kur kam qenë me të, të kujtohet?
-Po, e kam parasysh për kë thua. Nuk kam
konfidenca, por njihemi.
E
pra, Adriani e ndjeu katastrofën time, depresionin, dhe më dërgoi në spital, ku më bënë një ndërhyrje
pastrimi nga ilaçet e tepërta antidepresive që kisha pirë. Më pas erdhëm në
shtëpi, ku më vizitoi një doktor psikiatër a psikolog, s’e di! Fola pak me të,
ndonjë orë pak a shumë. Ai ishte burrë i zgjuar, më dëgjonte dhe e ktheu në një
komunikim shoqëror, shumë miqësor, pastaj më dha disa ilaçe e më këshilloi të
dal shëtitje buzë detit. Por unë nuk
dola: dikush tjetër do të mund t’ më shëronte! Ajo ishte ilaçi im më i mirë,
ajo ishte bregu i detit, ajo ishte vala e detit, ajo ishte ajri që më mbushte
me oksigjen, ajo ishte jeta ime, pa të nuk doja të jetoja...
Iliri
ishte mbushur me lot, unë nuk mund të flisja. Nuk munda as ta pyesja pse e
pastruan nga ilaçet e tepërta në spital, çfarë kishte bërë edhe pse e merrja me
mend, por unë po asistoja në një rrëfim të dhimbshëm dhe nuk flisja. Një ngërç
më kishte mbërthyer prej fyti, nuk po mendoja. Isha një njeri–makinë që dëgjoja
dhe vështroja një njeri që fliste për dashurinë si burimi i vetëm i jetës së
tij dhe mendova: -”Po Ajo, ‘Vala e detit’, a e dinte këtë gjë?”
Iliri
ishte mbytur në dënesë ngashërimi dhe dëgjohej vetëm ngërçi i zërit të tij që
qante dhe nuk qante, asnjë pikë lot nuk i dukej, por ndiehej, shpirti i tij
ishte një qiell i madh me ujë shumë të kripur ...
Kapitulli
II
“...Pa
kokë!
Një
ditë, nisur me agim të pritur, zgjuar.
Një ditë, e parandjerë si një lëmsh i zjarrtë.
Një
agim, ardhur i zbehtë dhe me mjegull.
Me
mjegull, si një e mallkuar natë...”
Këto
rreshta shkrova në mëngjes, ndërsa nisesha për në Tiranë.
-
Vargje të bukura edhe pse të trishta. Pse s'më thua, si ka mundësi që ti me
këtë shpirt kaq të ndjeshëm, nuk shkruan poezi ?
- Tirana pa atë kaosin e makinave në mëngjes është e
bukur.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes sime, por vazhdoi rrëfimin:
- Nuk e di, por më ngjan se ndiej erën e mimozave kur jam
aty, mbase ndjesi e mbetur që në rininë time studentore, kur sapo dilnim nga
fjetoret, përballë, shumë pemë mimozash, na përkëdhelnin me aromën e tyre të
patjetërsueshme.
Shkova drejt e në rrugët e kujtimeve të atyre viteve,
ndoshta sepse kur ke shpirtin në ankth, dëshiron ta rifillosh aty ku ke humbur,
apo ndoshta sepse për ironi të fatit, edhe ankthi i ri "thith të njëjtin
ajër", në të njëjtat rrugica!
E mendova shumë këtë rastësi këto ditë. Jo, e mendoj
akoma, është thjesht rastësi.
-Pse, kjo "Vala e detit" e ka shtëpinë në të
njëjtin vend me ndonjë ish-tëndin?
Iliri tundi vetëm kokën në shenjë pohimi dhe vazhdoi:
-Pasi piva një kafe, diku ku isha mësuar vetëm thjesht të
kaloja vëzhgues me nxitim, me vështrimin ngulur diku gjetkë, sikur do të më
jepte shpjegim ajo hapësirë që na ndante, apo sikur prisja të shihja dikë që më
kishte marrë vërtet tmerrësisht malli, shoh një laptop!
- Një laptop?
-Po, po, një kompjuter në një tavolinë ngjitur me mua!
I pacipë i afrohem.
-Më fal, ka mundësi të ma kalosh pak kompjuterin, sa të
shoh postën? Kam dalë herët nga shtëpia dhe s’munda të futem. Nëse nuk të
bezdis do të më bëje nder!
Djali i ri që po kalonte kohën e tij në Facebook, sipas
ekranit, qeshi lirshëm dhe m’u përgjigj:
- Po më, pse jo. Një minutë të dal pak nga këto
aplikacionet e mia dhe ta kaloj.
U ula në tavolinën time ngjitur dhe mendoja: “O Perëndi,
s’e kam bërë kurrë këtë!
Sa gjëra nuk kemi bërë në jetë më parë, sa? Dhe vjen një
moment që sillemi si adoleshent pa kuptuar nëse bëjmë mirë apo keq. Thjesht
ndiejmë dhe bëjmë atë që na jep ndjesia!”
-Urdhëro, - djali më zgjati kompjuterin me një buzëqeshje
të thjeshtë,- vazhdo i qetë, pa problem! Sikur të kishte lexuar mendimet e mia!
Hyra direkt në Facebook dhe shkrova urimin e ditës
së re. Kisha kohë që nuk e bëja. E shkrova për të gjithë sinqerisht, por më
shumë qe “një heshtje” e derivuar ndoshta dhe nga unë apo nga një e vërtetë që
rri varur, si në mendjen time ashtu dhe në realitet, të kuptonte, që unë isha
një puthje larg, një rrahje e zemrës sime larg...
-Pse isha aty!? S’e di, mbase sepse ndjenja s’ka moshë,
mbase sepse nuk arrij të urrej atë ç’ka dua më shumë se jetën time, mbase sepse
më mungon simfonia e zërit të saj, heshtja folëse, apo evaziviteti i pakuptimtë
gërricës deri në alarm çmendurie, nuk e di, e kotë të them përse! As tani nuk e
di këtë “përse”? Ose mbase e di, por nuk e kuptoj çfarë di e çfarë duhet të di!
Iliri ishte konfuz. Ai akoma notonte në dilemat e kurrëshpjegueshme
të dashurisë dhe nuk e kuptonte që s'do ta gjente kurrë bregun e këtyre
dilemave, ashtu si më parë të tjerë njerëz janë munduar në të gjitha kohërat.
Kjo ndjenjë kaq e bukur është ndërtuar në absurdin e jo
logjikës, në çmenduri dhe aty ku merr jetë, pikërisht aty vdes, për të rilindur
gjetkë si një fëmijë që nuk di asgjë, nuk ka parë asgjë. Kjo ndjenjë të bën të
harrosh pësimet e mëparshme për të jetuar diçka të re deri në pësimin e
radhës...
-Pasi shkrova diçka dhe lexova ç’më interesonte, -vazhdoi
Iliri, - mbylla lidhjen me internetin dhe ia ktheva të zotit, i cili po me atë
buzëqeshje të qetë, pranoi falenderimin tim thjeshtë me: “S’ka përse!”
U ula jashtë dhe porosita një kafe tjetër, e treta në më
pak se një orë!
-Pse isha aty, ç’po kërkoja!?
Dy ditë më parë isha në qiellin e shtatë, ndërsa atë
pasdite në ferrin e Dantes dhe në darkë mjegulla më mbuloi trup e mendje
me urrejtje!
Një ditë më pas në kërkim të një vërtetë që më mbushte më
inate dhe skenare të denja për filmat me 007!
Sot këtu, me një dëshirë të përmallueshme për të parë “Pikën
e lotit”, "Trëndafilin e egër dhe të butë", "Valën e
detit"!
Ndoshta një e fshirë gomë do t’i bënte zero të gjitha, po
kush!?
Unë që jam dhe s’jam, apo “Pika e lotit” që mbase është derdhur e pa faj?
Apo ka faj!?
O Zot, çfarë dilemash!
Shekspiri në këtë rast, do të shkruante realisht pa
fantazi një kryevepër tragjike!
-Këtë po mendoja para disa minutash, ndërsa të dëgjoja të
ripyesje veten se përse ishe aty? Dhe mendoj se as ti dhe askush nuk e ka gjetur
përgjigjen më parë dhe s'do ta gjejnë as më pas...
-Dikur, shumë vite të shkuara i kam thënë një njeriu
shumë të afërm timit, një njeriu që më mungon që nga vdekja e tij aq shumë, sa
shpesh më lë pa frymë vetëm kujtimi i tij:
“Zoti më parë të merr mendjen, pastaj reston!"
-Po pastaj?
-Pse jam këtu dreqi e mori!?- Iliri vazhdoi pikërisht aty
ku e la sikur nuk kishte dëgjuar asgjë nga ato që i thoja unë, ai përjetonte
çfarë kishte ndjerë dhe çdo gjë tjetër ishte e parëndësishme...
Këtë pyetje e kam
bërë atë mëngjes aq shumë sa nuk e mbaj mend, por shumë, dhe çuditërisht
fillova të recitoj vargje, që i krijoja aty për aty, si një poet i afirmuar,
sikur isha në vendin tënd, miku im. Iliri më vështronte. Unë shihja sytë e tij
tashmë të skuqur që shkëlqenin. Vetëm dashuria që kishte për atë grua e bënte
t’i shkëlqenin sytë mbi kripën e lotëve të derdhura pak më parë.
"Sa
herë kam mall për ty,
jashtë
bie shi!
Çudi,
kohët e fundit,
bie
shi edhe kur jam me ty!"
Këtë
recitova atë ditë dhe vërtet kisha mall.
Dielli
ishte ngritur goxha në kupolën qiellore dhe
kishte filluar të bënte shumë vapë, por çuditërisht mua më dukej se
binte shi. Më dukej se isha lagur nga koka tek këmbët!
-
Binte shi?
-Jo,
shpirti im ishte në lot!
Një
telefonatë më zgjoi:- Hë mo, ku je?
Ishte
një kolegu im që më shoqëroi në mëngjes në Tiranë. Ai kishte mbaruar punë, pasi
i thashë ku ndodhesha dhe e ftova të vinte aty të më merrte, u përqëndrova në
hapësirën që na ndante, atë që mendoja se na ndante. Apo nuk është vetëm
hapësira ajrore që na ndan?
M’u
duk sikur po e puthja atë hapësirë, njëlloj sikur buzët e saj... U futa si një i mallkuar në ato puthje të mbetura si “gozhda
e Nastradinit”...
- Pse si "gozhda e Nastradinit"?
-Sepse ishin të dhëna me shpirt e ndjenjë të
padiskutueshme. Shumë më pas të refuzuara, disa të rrëmbyera, por të dhëna
gjithsesi! Teksa prisja kolegun tim u riktheva me mendje në ato çaste përjetimi
ku kisha ndjerë orgazëm, ose gati një të tillë duke u puthur me afsh e ndjenjë,
u ktheva në ato prekje që alteronin euforinë dhe shtonin rrahjet e zemrës...
Gati-gati po i harroja edhe unë ato momente që betohesha
me urrejtje, shaja dhe mallkoja!
Boria e makinës më zgjoi përsëri, ishte miku im! Pagova
dhe u ngrita me vështrimin atje.
Heshtja ime në vështrim hapsinor, fliste më shumë. Si të
gjitha heshtjet që nga krijimi i njerëzimit. Heshtja ime dërgonte mesazhe dhe
një Zot e di nëse arritën në destinacion, por rrahja e zemrës ngjante se po më
dërgonte marrjen e mesazhit...
"Të urrej sepse të Dua sa Jetën!"
Hipa në makinë dhe u kthyem drejt Durrësit në një heshtje
që shokut tim i ngjau si ceremoni varrimi dhe me të qeshur më tha:
- Kur të arrijmë në Durrës do të më japësh paratë e rrugës. Shokun në makinë e dua komunikues si
gjithmonë, pasagjerit të panjohur do t’i marr lekë, hahaha!
Iliri, që siç duket mbaroi së rrëfyeri këtë copëz nga
jeta e tij dhe më vështronte në sy për
të kuptuar çfarë mendoja!
Unë nuk fola, s’dija ç’të mendoja! E kisha ndërprerë
dy-tri herë, sepse rrëfimi i tij shpesh më fuste në mendime dhe sinqerisht i
përjetoja ato që ai tregonte, sa më dukeshin se i kisha jetuar unë e jo ai.
Ktheva kokën nga deti: zbaticë!As ky mik i përjetshëm i
njeriut nuk dinte të më këshillonte ç’të mendoja, madje ishte në zbaticë për
vete...
-Mos vallë dhe Deti është i dashuruar si ti, miku im, iu
ktheva Ilirit dhe ka filluar të dobësohet ?- duke qeshur në hall ...
Bëmë dy fotografi me Ilirin në atë ambient të bukur
bregdeti me diell dhe duke lënë takim për pasdite, u ndava nga miku im me
shpirt të bukur që dashuronte dhe vuante...
-Si ka mundësi, të gjithë ata që dashurojnë vuajnë, përse
vallë kjo ndjenjë kaq madhështore i bën të vuajnë, aq sa dhe ferrin piktorët e
ngjyrosin me të kuqen e dashurisë!?"
Nxitova për në shtëpi. Duhej të hidhja në letër çfarë
dëgjova nga goja e mikut tim deri pak çaste më parë. Nuk dija akoma si do ta
titulloja këtë tregim të bukur dhe të trishtë njëkohësisht, por një gjë e dija
me bindje, do ta rrëfeja ashtu siç ma tregoi ai. Madj,e edhe dialogjet dhe
monologjet do t’i rindërtoja, siç m’i tregoi, ndaj nxitova.
-"Përse të bëhej xheloz ai për një grua të martuar,
që po i falte çaste të mrekullueshme?!" Ndërsa ecja, mendimet filluan të
më torturonin trurin. Kam përjetuar edhe unë flirte të tilla me ndonjë grua të
martuar, por nuk e kam vrarë kurrë mendjen se ka një lidhje tjetër përveç meje
apo jo. Fakti që është flirt nuk duhet të mbajë xhelozi brenda llojit: Apo
jo...?
(Unë
dhe mendja ime filluam debatin.)
-“Pse jo? A nuk po tradhëton burrin kjo grua e martuar?
Përse nuk jemi xhelozë për bashkëshortin e saj, me të cilin ajo fle çdo natë në
krevat?
-Po burri nuk quhet. Ai është si një lloj manikini për të
cilin kemi vetëm idenë e egzistencës dhe nuk llogarisim asgjë tjetër. Duke e
tradhëtuar ajo, gruaja, e ka vënë bashkëshortin në këtë pozicion. I druhemi
xhelozisë së tij, por s'jemi xhelozë për të.
-Absurd!
-Personi i tretë po. Ai na bën konkurencë dhe këtu hyn
egoja e mashkullit. Kjo i ndodh edhe femrës kur është e lidhur me një burrë të
martuar.
-Absurd!
-Mund të jetë absurd, dhe në fakt është, por është
realitet!
- Është relative kjo, si mendimi edhe ky realitet. Varet
nga shumë faktorë dhe s'mund të gjykohen. Absurd është si veprim, por janë të
pagjykueshëm nga personat e tretë."
E
lashë debatin në mendjen time "i humbur". Logjika nuk kishte asnjë
sens, pikërisht sepse ishte përpara disa sjelljeve njerëzore të palogjikta. Aty
ku hyn ndjenja, logjika nuk vepron.
Ndërsa
hyja në shtëpi m’u kujtua ajo shprehja e famshme:
"Të
tjerë duam, të tjerë na duan dhe me të tjerë martohemi."
-Po pse martohemi me persona që nuk duam?
-Apo
dashuria për to merr fund, kur fillojmë e bashkëjetojmë?!
Nessun commento:
Posta un commento