lunedì 16 marzo 2020



Mallkimi i Shen Valentinit




Epilog

Pas disa javësh, ndërsa mendoja ta botoja rrëfimin histori të mikut tim, që tashmë nuk ishte më, shkova në Tiranë  në takim  me një botues.
I ulur në një nga ato lokalet që kanë emra të çuditrisht nostalgjik  për kohën e komunizmit,si: Vila nr 4, Vila Gold, etj   po shkruaja në bllokun e shënimeve dhe rrufisja kafenë e dhjetë. Pas kurrizit dëgjoj  një zë të njohur:
- O rrushi, po a nuk ishte më mirë të kishe lënë takim në ndonjë vend tjetër? Se këtu kemi qenë disa  herë, ë ?
- Pa problem, takim punë është, hahaha!
Ngrita kokën, e njihja atë zë edhe pa e dëgjuar herë të tjera! Notat, melodia e atij zëri më ishin përçuar në shpirt. Ecja ishte e padiskutueshme, e njohur...
Ajo tundte belin dhe ecte me “marsh indietro”!
Ato u ulën të dyja në një tavolinë në qoshe dhe për fatin tim, Ajo  kolltukun prej nga nuk më shihte. Përballë meje, u ul shoqja e saj, që natyrisht, nuk më njihte.
Nuk kaloi shumë dhe hyri një burrë i ri, pas  të tridhjetave , por me flokë pak të rëna në  ballë e tëmtha të thinjura. Ai kishte veshur  pantallona  terital, këmishë me kuadrate dhe atlete .
Mikeshat  e tij në qoshe të lokalit e pritën krahëhapur. Për fat, edhe mua më erdhi  shoku im që m’i shpërndau mendimet për treshen, që po më rëndonin shpirtin...
Filluam të flisnim për punët tona, kur pas disa minutash dëgjova  të qeshura nga tavolina e atyre. Na ndante vetëm një kolonë për t’u parë sy më sy me “Valën e detit”. Shihja vetëm krahun e majtë të mikut të saj. Shoqja, që më parë ishte ulur përballë meje, nuk ishte më aty.  Dhe unë u  përmenda: "Njëlloj si në rrëfimet e Ilirit. Hamendësimet e tij paskan qënë të vërteta!"
Një mendim pak djallëzor më erdhi në mendje:- Më fal një minutë të bëj një telefonatë. Shoku më kuptoi nga fytyra, që unë nuk isha mirë. Kërkova në rubrikën e telefonit një numër dhe e formova.
-Mirëdita, Ju lutem, një lule  një Orkide dëshiroja për tek “Vila ... “, A mundeni?
- Patjetër, - u dëgjua një zëri i luleshtitëses.
- Mirë.  Unë jam i ulur sapo hyn tek “Vila” djathtas, jepi korrierit numrin tim, që t’ më japë buqetën. Dhe nëse ka mundësi, sa më shpejt.!
- Patjetër, zëre se erdhi, - e mbylli  ajo
- Ju faleminderit!

Shoku po më shihte në sy. Ai s’po kuptonte asgjë. Në fakt, më erdhi instinktivisht ideja. Ndoshta ishte ajo pyetja që do të doja t’i bëja para dy ditësh zonjës; “Pikë loti”, “Valë deti” dhe që në atë moment e konsiderova të tepërt. Por siç ndodh rëndom, ne pendohemi që nuk i bëjmë ato që duam, vetëm pasi nuk kemi mundësi t’i bëjmë më...
Mua më erdhi shansi ta bëj në një mënyrë tjetër dhe vendosa të mos e humb rastin.
-Shumë mirë bën, asgjë nuk duhet lënë pas dore. Punën e sotme mos e lër për nesër, miku im.
I kisha folur më zë të lartë mendimet e mia dhe shoku përballë më kishte dëgjuar të shprehesha.
-Të tregoj më pas, por ai libri që po përgatisim për botim do të ketë këtë dialog tonin në mbyllje.
-Ashtu? Pra lulja Orkidea është për personazhin e librit. Pra, ajo, “Vala e detit” ndodhet këtu, sipas kësaj që kuptoj??
-Po, por mos e ngri zërin, - e ndërpreva, meqenëse miku im botues, që e kishte lexuar me një frymë për gjithë natën novelën-rrëfim të Ilirit, u bë kurioz dhe filloi të kthente kokën majtas-djathtas.

Korrieri erdhi me një buqetë të rregulluar bukur me letër të hollë të tejdukshme, ngjyrë të kuqe të lidhur me fjongo.
Shkrova një biletë shpejt e shpejt dhe e futa mes fjongos dhe letrës mbështjellëse. I dhashë paratë korrierit dhe i fola me zë të ulët: - Atje në qoshe është ulur një zonjë. Çoja asaj dhe i thuaj që ta kanë porositur me telefon, ok?
Djali tundi kokën me një buzëqeshje mashkullore, që dukej sikur më thoshte:
-“Mirë plako, e kuptova që po gjuan”.
Ndërsa djali u nis me lule Orkidenë drejt Valës, ne paguam dhe dolëm.
Tek dera dëgjova korrierin që më përshëndeti, kurse shoku im ishte kurioz për dedikimin në biletën shoqëruese, kur befas dëgjoj :- Poet!
Ktheva  kokën dhe e pashë atë, por e përshëndeta ftohtë me kokë.
-Nuk është ashtu siç mendon ti, - po përpiqej të justifikonte evindencën ajo e afruar ndërkaq.
-Nuk e di çfarë mendoni ju zonjë se mendoj unë, - iu ktheva me cinizëm dhe ironi, - por mendoj se tashmë nuk ka asnjë rëndësi apo jo ? Jeta vazhdon zonjë. Për ne që dimë të adaptohemi me hipokrizinë njerëzore, jeta vazhdon, me cinizëm apo realizëm cinik, ajo vazhdon! Jeta nuk i do të mirët. I quan të dobët dhe ia jep vdekjes. Na lë ne, “të fortët", që të masim forcën e hipokrizisë reciprokisht.
- Kush do të fitojë?!
-Askush zonjë, askush...
Koha shëron çdo plagë për njerëzit pa ndjenja. Për ata me ndjenja, koha nuk vepron. Atyre plagët nuk ia tret as dheu... Thonë që shpirti i tyre, i paqtë në hapësirën tokësore, kthehet i papaqtë përtej jetës, derisa drejtësia e padrejtë njerëzore t’i shpagojë!
-Përshëndetje zonjë! Zoti pastë mëshirë për ju!
E lashë aty, në hyrje të shkallëve, ndërsa m’u duk se po kërkonte të thoshte diçka, por s’kisha dëshirë ta dëgjoja.
Isha shfryrë edhe për mikun tim Ilirin. Ndoshta padrejtësisht, pasi nuk kisha asnjë të drejtë ta gjykoja, por kujtimi i Ilirit dhe ndjenjës së tij të pastër, më kishte detyruar të bëja atë monolog cinik.
Ndieja në kurriz vështrimin e saj, ndërsa dilja nga oborri i lokalit me shokun tim botues që më pyeste:
- Çfarë i kishe shkruar në biletën shoqëruese të lules?
-“Të dua përtej vdekjes!   ILIRI”



Fund
Ardi OMERI


1 commento:

  1. Tradotto da google sembra bello. On so perche non la trovo in italiano

    RispondiElimina

Në vazhdën e atyre që kam mësuar, dhe pas të të shumtave që s'kam mësuar, po ju them se: - Askush nuk i do servilët, por të gjithëve u ...