venerdì 8 luglio 2022

VARGJET E MEKATIT


VARGJET E MËKATIT!


Kur isha i ri, 
luleshtrydhet i haja edhe të pa bëra, 
lëng lëshonin me buzë kur i ndukja...
Të pjekurat, të pjekurat më linin njolla, 
të njomat këndonin, në gojë kur i fusja...


Më pëlqenin frutat, 
ishin si një terapi!
Por jo ato të butat, 
të freskëtat që çelin në çdo stinë...


Kështu fillova të krijohem, 
ose kështu më ngjante mua!
U mësova të jetoj me fruta të freskëta, 
të fle e të zgjohem kur të dua...


Recitoja mbi pjeshkë të hajthshme,
dhe me epsh këndoja si një pirat.
Aty lija peng shpirtin tim, 
edhe kur shpirtin fusja në mëkat...


Por iken ato vite, 
ikën bashkë me rininë time.
Tani, edhe pse s'jam zbardhur, 
qëndis, si një kallogre, cohën me kujtime.


Herë pas here lexoj në shtrat, 
dhe s'di as kujt i përkasin vargjet!
Ndonjëherë më duket sikur më kanë inat, 
apo sikur po dënojnë mëkatet!


Kam bërë mëkate!?
Pse e vinit në dyshim?!
Por jam i mirë, i kam rrëfyer në vargje, 
gjeni aty çdo gjë të shpirtit tim.


Jua thashë sonte,, 
meqë nata sjell këshilla,
Apo që e nesërmja të mos më gjej zbuluar.
Por kur të lexoni ndonjë varg timin, 
kuptojeni, gjithsesi;
një histori dashurie keni lexuar.


Mos kërkoni emra, 
ndoshta ju vetë jeni një ndër to.
Poezia është e bukur, 
dhe më e bukur, kur dikush ta dedikon.

Në se jeni fruti që më ka velur, 
kujtoni recitimet e mia mbi ëmbëlsinë tuaj...
Lëshonit nektar e më thërrisnit "i çmendur", 
Pastaj, më merrnit shpirtin, 
dhe në vetmi më linit të vuaj...
 
Tani dergjem si Gjergj Elez Alia,
sëmurur nga nektari i mëkateve të mia!
Ndërsa ju; Ju jeni përjetësuar, 
në çdo varg të poezive që ju kam kënduar...

Mbajini kujtim, janë të vyera,
Me dashuri jua kam dedikuar!


Ardi OMERI
Londer 17.09.2021  03.56




giovedì 7 luglio 2022

NUK KAM FRIKE NGA VDEKJA



NUK KAM FRIKE NGA VDEKJA

S'kam patur kurrë frikë nga vdekja,
prandaj dhe kam vdekur disa herë!
M'ka thirrur shpesh e errta,
pastaj më ka lënë rrugës,
si një besëprerë...

S'kam patur kurrë frikë nga vdekja,
dhe pse ndjehem keq,
kur më ikën një dashuri!
Më ka tërhequr gjithmonë e keqja,
por kurrë s'më ka futur në gji...

S'kam patur kurrë frikë nga vdekja,
por vetëm nga heshtja!
Ajo e mallkuar më tremb!
Besën e kam lidhur me fjalën,
dhe asgjë-ja më dhemb...

Më dhemb tmerrësisht heshtja,
edhe pse thonë që ajo flet shumë!
Me duket njëlloj si vdekja,
por e mbrojnë pikërisht ata,
ata që flasin më shumë!

Ata që besën kanë me intrigën,
me fjalën e përçudnuar në asht..
Ata që s'lidhen në besë as me frikën,
dhe as me bukë e mjaltë.

Ata që kanë frikë nga vdekja,
dhe vdekjen e përdorin për frikë.
Ata që i tërheq hjekja,
dhe hjeksit i çojnë në ferr,
pa pajë e prikë...

Më çudit heshtja,
sidomos kur cilësohet "e artë"!
Për mua është më e keqe se vdekja,
është një qivur pa kapak...

S'më ka trembur kurrë vdekja,
më ka tmerruar heshtja!

Largimi nga njerëzit e dashur,
fjala e tyre e ngrohtë.
Më mungon zënka e çastit,
dhe puthja pas të nxehtit lot...

Përqafimi me mall,
shtrëngimi në krahëror...
Puthja me sy,
dhe prekja me dorë...

Pa to njeriu është asgjë,
dhe vdekja s'e di çdo të thotë,
të dënohesh me heshtje!
Ajo s'e di si mbytet njeriu në lot,
si psherëtin dhimbshëm shpirti me vehte...

S'më tremb vdekja,
dhe errësira saj s'më ka mundur dot.
Ndoshta vërtetë nuk e besoni,
por unë kam vdekur disa herë,
dhe asnjëherë s'e kam takuar të plotë.

Heshtjen po,
ajo më ka mbytur në lot.
Ajo m'ka marrë jetën
dhe s'e kam mundur dot.

Ardi OMERI

Londer 08/07/2022



Në vazhdën e atyre që kam mësuar, dhe pas të të shumtave që s'kam mësuar, po ju them se: - Askush nuk i do servilët, por të gjithëve u ...