MALLKIMI
I SHËN VALENTINIT
Novelë
“Kur
jeni të lumtur, shikoni thellë në zemrën tuaj dhe do të gjeni se çfarë po ju jep gëzim, është
vetëm ajo që ju ka dhënë trishtim më
parë. Kur jeni të pikëlluar, shikoni përsëri në zemrën tuaj dhe do të shihni se
në të vërtetë, ju jeni duke qarë për atë që ishte kënaqësia juaj më parë.”
Kahlil Gibran
Kapitulli I
-A di të dashurosh apo dashuron të parën femër që të del
përpara !?
Më vinte t’i bëja këtë pyetje Ilirit, i cili pas gati një
viti që më kishtë rrëfyer historinë e dashurisë së tij, tashmë të marrë fund,
siç e dija, por edhe të ndonjë flërti të rastësishëm, histori këto, që i dëgjon nëpër biseda tavolinash
gjoja si kuriozitete, por që s’janë gjë tjetër veçse thashetheme, ku baza e së
vërtetës janë vetëm fjalë aty-këtu, apo
që të panë atje apo këtu, më telefonon dhe më fton për një kafë buzë detit
duke më paralajmëruar më parë...
I kishte ndodhur një histori pak a shumë si edhe të
tjerat, por kjo, ishte historia e një dashurie të madhe, diçkaje të
jashtëzakonshme.
Kur e dëgjoj në telefon më vjen të qesh, por heshta, duke
e njohur që fyhet shpejt, dhe preferova, t’i them vetëm: - Ashtu ? Më bëhet
qejfi për ty.
Nga krahu tjetër i telefonit dëgjoj: -Prit ti, prit se do
të tregoj unë e do të mahnitesh edhe ti.
Në vendin e takimit unë isha rreth gjysmë ore më herët.
Nuk e di, por sa herë afrohem buzë detit më
pushton nostalgjia,
më mbështjell qenien një paqe e bukur dhe ëndërroj. Shumë herë kam shkruar mbi
këtë mur me zinxhirë të zinj mbi leshterikë...
Kisha një dëshirë që, O Zot! Të merrja detin në
këmbë, të bëja xhiro nëpër Adriatikun e ndryshueshëm çdo orë, apo në Jonin blu
të bukur, të shkelja me këmbë si nëpër tokë të gjithë detin, që lag brigjet
tona.
Hidhja vështrimin në horizont dhë më vinin shumë kujtime
në mendje, shumë... Kujtime që lidheshin me fëmijërinë, kur prisnin e
përcillnim babain që ikte apo vinte me anije nga udhëtimet jashtë, apo më pas
unë vetë, me anijet e vogla, avulloren “Liria” apo ndonjë tjetër.
Që nga ai breg, që
ne dikur i thoshnim tek Leshterikët e Vollgës, apo kanali i derdhjes së
ujërave të zeza, për faktin se aty kishte shumë leshterikë dhe dikur derdheshin
ujërat e zeza të qytetit., sikur shihja përtej brigjeve; Shihja veten duke ikur me anije në Sarandë,
Vlorë apo Shëngjin. Më dukej se kisha para syve skenën e imbarkimit për në
Catania. Rruga e parë jashtë shtetit, një bela e vërtetë. Luftë morale për të
bindur drejtuesit e asaj kohe dhe partinë e ndërmarrjes, që nuk do të arratisesha edhe pse kisha sjellje të mira...
Sikur kisha para syve Otranton, rruga e dytë në Itali dhe
sapo vështrimi në horizont ndryshonte gradë, drejtohesh nga Veriperëndimi, të del përpara syve Ravena, që për
hir të shumë udhëtimeve aty, u bë si Durrësi për mua, Venecia apo Trieste.
Për një çast - mendimet e
mia heshtën.
Diku atje përtej kam lënë pak nga zemra ime, pak nga jeta
ime...
Andej kam një pjesë të zemrës, një pjesë të jetës, një
pjesë të familjes.
-Ej, poet! - dëgjoj zërin e Ilirit që më thërret.
Kthej kokën i buzëqesha dhe u përqafuam.
Pas përshëndetjeve të rastit, që ne, shqiptarët, i kemi
me të puthura në faqe e me shtrëngime sikur duam të masim forcën, e pyeta:
- Po përse më le takim këtu e jo diku tjetër?
-Në fakt s’do të rrimë këtu, por në “këmbët” e murit të
kalasë, pak më tej se Torra, sepse muret e vjetra s’kanë veshë, por dhe në
kanë, me siguri nuk flasin. Ata kanë shekuj që mbajnë historira pa fund dhe nuk
i kanë treguar. Po t’i tregonin asnjë s’do të merrte guximin t’i prishte apo të
ndërtonte mbi to!
Iliri më fliste me gjeste dhe plot pasion, ndërsa unë
s’po kuptoja asgjë, më dukej si i rrjedhur! Ky djalë, thashë me vete, paska
rënë përsëri në dashuri... (Dhe qesha. Ai më pa, por nuk reagoi keq, përkundrazi,
as më pyeti përse qeshja.)
Pas nesh ishte Torra dhe ne u drejtuam për andej.
Kaluam ish Hotel -Resorant -Vollgën tashmë të rrënuar apo në
rikonstruksion, lulishten para murit ngjitur me Torrën e dolëm nga krahu
tjetër. Disa metra më tej ishte ndërtuar
Hotel Bar
-Restorant Mediterran, me tri kate ngjitur
me murin e kalasë . Dy kate dilnin mbi mur dhe
kati i dytë kishte një verandë-restorant paralel me kështjellën, prej nga ku
dukej pak edhe deti. Dy kullat e ndërtuara si monstra buzë detit e prishnin
tërë pamjen e bukur.
Ne u ulëm në një tryezë në krah të detit dhe porositëm
një pjatancë mikse; barbun, merluc dhe fruta
deti, shoqëruar me verë të bardhë. Iliri
që ishte në një eufori të jashtëzakonshme i thotë kamarierit:
-Po pronari aty është? I thuaj që i kanë ardhur miq, sa
për ta përshëndetur jo për gjë.
Kamarieri mori porosinë dhe u largua pa thënë nëse do ta
lajmëronte apo jo.
Ndërkohë Iliri vazhdonte të fliste pa pushim për gjëra të
ndryshme dhe më vinte çudi.
Ai vërtet do të jetë dashuruar me ndonjë mrekulli që e
kishte bërë të ishte kështu! Jo se i mungonte goja herët e tjera, sepse ai
ishte si thonë plakat, “marshalla” nga goja, por duke pasur parasysh;
ndryshimet në statusin dhe gjendjen e tij financiare, isha mësuar ta shihja më
të heshtur. Dhe kjo që po shikoja dhe dëgjoja ishte vërtet një mrekulli.
Kamarieri solli në fillim verën dhe Iliri duke mbushur
gotat, më shihte herë pas here në sy, aq sa po më vinte në një gjendje pak të
vështirë, s’po dija si të reagoja.
-Gëzuar miku im poet, -Gëzuar dhe rroftë dashuria!
-Gëzuar,- i kthej urimin dhe ndeza një cigare, si për t’i
thënë: -Fillo pra, se na plase!”
-Unë e njoha në virtual këtë mrekulli, - filloi ai më në
fund, sikur të kishte kuptuar ç'mendoja.
Ishte fjalëpakë dhe konkrete, me humor dhe një vëzhguese
e paparë. Këtë përshtypje më la, kështu e ftova për një kafe. Ajo s’m’u
përgjigj menjëherë, por shkëmbenim mesazhe virtuale herë pas here. Siç duket më
vëzhgonte, e kujdesshme tjetra. Hahaha,- qeshte ai dhe dukej i lumtur.
Një ditë, ndërsa po lëvizja me një mik italian për në jug
të Shqipërisë, lashë numrin e telefonit në faqën time të Facebook-ut dhe
paprtitur më vjen një telefonatë me një zë të bukur, të këndshëm. Ishte Ajo,
mikja e re, që më ftoi të takohemi, por meqë isha në rrugë e lamë për një ditë
tjetër. Kështu sapo u ktheva nga udhëtimi në jug, të cilin,të them të drejtën e
shkurtova pak në kohë nga padurimi, i telefonova menjëherë. Kisha ankth ta
takoja këtë “grua kokëmënjanë”... Unë u gjenda pak minuta më përpara. Edhe ajo,
shumë korrekte, në orën e caktuar fiks erdhi në kafe. Kështu u takuam.
Pas përshëndetjeve të para erdhi radha e prezantimit, unë
i fola për veten, ajo më pak, m’u duk e kujdesshme, por gjithsesi mjaftueshëm.
Komunikimi ynë ishte një mirëkuptim i menjëhershëm. U duk sikur ne mund të
rrinim me njëri-tjetrin dhe të flisnim me orë të tëra pa u mërzitur. Dhe kjo
për mua është "A"-ja e komunikimit mes dy njerëzve, në çfarëdo lloj
statusi shoqëror, mendimi im.
I flisja dhe ajo më dëgjonte me vështrim mbi tavolinë. I
dukeshin qepallat e gjata që i përplaste herë pas here dhe dëgjonte e heshtur,
aq sa në fillim m’u duk sikur nuk po më dëgjonte, por sapo heshtja, ajo ngrinte
ato sytë e bukur dhe më pyeste pa folur:
- “Po pastaj?” Kuptoja që ajo sikur ndërtonte skenat e
tregimeve të mia me mendje, sikur i përjetonte ato që i thosha unë!
Mbante kokën mënjanë dhe një pëllëmbë të dorës në faqe.
Flokët me onde i binin ëmbël mbi supe, sa më vinte t'ia përkëdhelja... Kishte
një bluzë, me kopsa përpara dhe tri të
parat i mbante hapur, prej nga i dukeshin format e një gjoksi të bukur. Gjoks
nga ato që të vjen mendja vërdallë sapo e sheh. I ndarë në mes, të fuste
menjëherë në imagjinatë.
- E di ti poet, që gjoksi është i pari pas puthjes që të
fut në labirintet e seksit?
- Jo ç'ne? unë nuk marr vesh nga këto gjëra
- Bëj shaka, thjesht që të kuptosh që në atë takim të
parë, ajo erdhi e veshur thjesht dhe bukur, me shumë stil dhe ishte seksi si në
veshje dhe në qëndrim. Por gjithsesi , vazhdojmë,
se kur kujtoj detajet, e humbas fillin...
Pastaj foli ajo, më tregoi disa gjëra të saj dhe unë e
dëgjova me shumë vëmendje.
Ajo të impononte vëmendje, ishte një mrekulli edhe kur
heshtte.
Pas pothuajse dy orësh bashkëbisedim të këndshëm, ajo
kërkon leje sepse duhej të ikte në punë. Kishte ndenjur më shumë seç duhej, por
e justifikoi me kënaqësinë e kësaj njohjeje.
- S’më the, - e ndërpres unë, - kush ishte, me çfarë
merrej, ishte e martuar, kishte fëmijë, beqare, sa vjeç ishte? S’më the asgjë,
kalove në përshkrimin e takimit dhe s’më the asnjë detaj ! Si mund të shkruaj
pa e ditur kush janë personazhet!?
-Po mjafton me kaq miku im. Ajo ishte e martuar dhe
punonte. Ç’të duhen më shumë detaje? Ishte një mrekulli dhe kjo mjafton!
E vështrova në sy dhe s’po kuptoja ! Iliri, herët e tjera
më kishte treguar edhe emrat, kësaj radhe jo. Ai e ruante me xhelozi këtë
person! Ndoshta ishte dhe ai i teorisë sime:
“Mos i trego intimitetin tënd një të treti, se humbet
magjia!”
-Mirë, mirë vazhdo, - i thashë unë duke marrë pak
kallamare që ndërkohë kamarieri i restorant “Mediterran”, na vuri përpara në
pjata të rregulluara profesionalisht, nga ato që unë them se “i ha pamja!”
-Bëmë një copë rrugë bashkë dhe unë e vështroja me bisht
të syrit, Ajo vallëzonte kur ecte. Beli, si "mes këputur" bënte të
vallëzonte fustani i shkurtër, jo minifund, normal, pak fare mbi gju, dhe palat
e tij të jepnin përshtypjen e një vale deti në përkundje, ndaj unë e quajta
“Valë deti”!
-Pra, ti u dashurove me të që në atë takim!- e pyeta
-Më duket se shkova i dashuruar në atë takim! S’e di, por
më dukej se njihesha me të që në jetët e kaluara. Më dukej se edhe ajo kishte
po atë përshtypje dhe kur u ndamë, me premtimin që të rishiheshim, u përqafuam
alla shqiptarce. Unë përfitova dhe e putha në faqe. Kur ktheu faqen tjetër, i
zgjata buzët pak më shumë, për t’i prekur me shpresë cepin e buzës, por ndesha
me flokët e saj dhe putha qoshen e buzës dhe flokët, që më lanë një erë të
këndshme në buzë. Një shije si ajo që të lë një qershi e pjekur, e cila kur nuk
vilet, fillon rrjedh nektar të mrekullueshëm pik, pik, pik... Faqja e saj e
majtë që putha në fillim, m’u duk si një gjethe vjeshte që ishte zverdhur, por
që s’donte të binte nga pema me gjithë erërat që kishte kaluar! Kjo grua e
mrekullueshme, ishte mishërimi i të gjitha mrekullive që mund të ketë një femër
dhe mendoj se çdo mashkull do të ishte i lumtur ta kishte në krah. Unë që
ndenja me të dhe ndjeva aromën e saj nga afër, ndihesha fatlum!
-Pra ajo ishte e martuar dhe po takohej me një të
panjohur me të cilin ndenji disa orë duke biseduar dhe ti re në dashuri!?- iu
ktheva
-Çfarë të duket habi, ti po e gjykon pa filluar ende
tregimin! – u pezmatua Iliri.
-Sa herë je takuar ti, poet me njerëz që nuk i
kishe parë kurrë më parë në jetën tënde?
Sa herë të kanë prezantuar nëpër tavolina njerëz, që nëse
nuk do ishte për atë prezantim, s’do të kishe pasur mundësi t’i takoje kurrë
ndoshta në jetën tënde!?
-Jo, s’po gjykoj aspak, e as po bëj habi,- gënjeva unë,-
thjesht po pyes.
-Këto Websitet virtualë i frekuenton ti, apo
merresh tërë ditën me vargje buzë detit, apo në atë strofullën tënde prej ariu
të vetmuar ?
-Herë
pas here, por jo se rri shumë. Në fakt aty qetësohem, sepse më duket si një
kafene, ku takoj miq të vjetër. Madje, kam parë, si të them, miq që kisha
njëzet e më shumë vite pa i parë dhe jemi përshëndetur me mall. Por kam edhe të
panjohur miq dhe me to herë pas here takohem sipas shijeve, kur na puqet
komunikimi. Por, vazhdo, më fal Ilir,- i drejtohem mikut tim me sinqeritet.
Ai
kishte të drejtë. Në një farë mënyre, në këto websitet virtuale njohim
njerëz, ato shërbejnë për këtë qëllim. Krijohen miqësira të reja dhe
"mbajmë gjallë" të vjetrat...
Po
ku e dinte ai që kjo, "mrekullia" e tij nuk e kishte bërë herë të
tjera këtë gjë, takimet me të panjohur, por nuk fola, në fund të fundit, s’kisha
arsye... Ai ishte i lumtur dhe kjo kishte rëndësi.
Iliri
po më kundronte, ndërsa mendoja sikur po më bënte ekon e trurit.
-Nejse
poet, bluaj ç’të duash, kjo ka pak rëndësi, por nëse do të vazhdoj më thuaj, e
mos më gjyko, as mua dhe as atë, as me fjalë dhe as me mendje, nuk ia vlen. Mendoja se je më i civilizuar, më modern, ke bredhur dhe
nëpër botë ti.
Fjalët e fundit u shoqëruan me një farë shpotie pak
cinike, por që ai e mbuloi me një buzagaz.
-Fillova kështu të shkoj në Tiranë pak më shpesh dhe jo vetëm kur kisha punë. Por edhe në
ditët që punoja, unë gjeja kohën të takohesha me “Valën e detit”. Pinim kafe e
flisnim, ajo për punët e saj dhe unë të miat dhe herë pas here ktheheshim në
historinë e jetëve tona... Për hir të së vërtetës, unë dëshiroja më shumë, që
ajo të më njihte mirë.
Kishte një farë mirëkuptimi mes nesh, saqë kur e ftoja
për një kafe, ajo gjente kohë dhe ne takoheshim. Kështu erdhi dita që hëngrëm
një drekë, pas pesë a gjashtë ditësh nga takimi i parë. Shoqja që na shoqëroi
në atë drekë, pas pak minutash, me shumë zgjuarsi na la vetëm dhe ne u afruam
më shumë. E ftova të ndërrojë vend dhe të afrohej në atë afër meje. Kështu
filluam të prekeshim, e më pas të putheshim tërë afsh e ndjenjë. Puthja
kërkonte puthjen, dhe më pas një tjetër e një tjetër.
Ishte një pasdite e mrekullueshme. Gjithë ai restorant në katin e dytë, si me porosi të Zotit, u boshatis për
të na lënë vetëm ne dhe magjinë tonë të pakrahasueshme me asgjë tjetër! Ajo më
rrëfeu se më ndiente shumë dhe për herë
të parë pas kaq vitesh, ajo po puthte dikë, që nuk ishte i shoqi...
-Pra, ajo po të tregonte se për herë të parë po
tradhtonte në një farë mënyre!?- e ngas Ilirin.
-Po, dhe mënyra se si ma tha dhe se si më puthte, më
bëri ta besoj plotësisht!
Pas ja dy orësh, me puthje që ndiqnin njëra-tjetrën me
afsh, që në një ambient tjetër do të kishin vazhduar pak më tej... , erdhi
shoqja e saj dhe ne u ngritëm me premtimin që të rishiheshim ...
Ditët në vazhdim ishin pak të çuditshme. Të dy sikur ruheshim që të mos prishnim
"status-quo-në", si nga ana ime dhe e asaj. Por unë dashurohesha çdo
ditë e më shumë...
-Sa herë je dashuruar në jetë Ilir?- e pyeta i mahnitur
me pasionin e tregimit , që më dukej i bukur dhe i çuditshëm! Ai sikur
përjetonte dy herë, gjithçka tregonte.
-Tani s’më kujtohet asnjë tjetër, - u përgjigj si
përgjumësh Iliri. - Unë putha jetën dhe kjo ishte puthja ime e parë! Unë në atë
moment, isha një adoleshent që dashuronte për herë të parë.
Ai vërtet dashuronte dhe për të egzistonte vetëm ajo. Ai
nuk mbante mend asgjë tjetër. Ai nuk shihte asgjë tjetër! Kjo është ajo
dashuria, që unë e kam quajtur gjithnjë:“Një iluzion i bukur!"
Nessun commento:
Posta un commento