venerdì 27 gennaio 2012

ÇUDI !

Dëshiroj,
Të jetë vetëm kush është e jo kush duhet
Dua ta shoh të fluturojë si një flutur
Po, të jetë çka Zoti parashikoi që në krijim
Të jetë si Afërdita, Perëndia e saj e bukur!


Nuk dua,
Në të tjera fytyra pa fytyrë te shoh,
atë që nuk dëshiroj vetë unë të jem!
Në të tjera krijesa e qenie pa shpirt,
fis e farë, farë e fis të kem...


Urrej,
Pasqyrim në abstrakte krijesash,
që me një shembull të keq të më ngjajë!
As pikturë, skulpturë, shkrim,
prozë a në të madhërishmen poezi,
Të jem institucion gijotine, pa kolona që ti mbajë...


Nuk mundem,
Të hedh farë në tokë djerr,
apo të shterur si në një të tharë kënetë!
Në peshq të vetë mbetur pa ujë,
a në të pangopur që pinë ç’të ketë...


Nuk më pëlqen,
Të admiroj thjesht se duhet me dikë të jem
Ta shoh e vetëm të magjepsem si njeri,
pas një krijese të bukur në formë,
që përmbajtjen as vetë të mos e di...


Dëshiroj,
Të jetë vetëm vetëvetja e jo kush duhet
Dua ta shoh të fluturojë si një flutur
Po, të jetë çka Zoti parashikoi në krijim
Të jetë si Afërdita, Perëndia e saj e bukur!


Nuk dua të urrej, nuk më pëlqen,
Dëshiroj por, shpesh më ngjan,


Si një skenar i shkruar për një film,
ku edhe pse sapo fillon i dihet fundi,
ti magjepsesh e deri në fund sheh vetëm fillim!
Si një verë e mirë që të shijon në gojë
dhe pasi ke pirë të gjithë shishen,
nga e para ta do shpirti të fillojë!


Si atëherë kur dashuron për herë të parë,
që s’di as të ecësh dhe fort vrapon...
Ku emocioni, dridhja e qenies fëminore,
të fotografohen në shpirt dhe gjithë jetën i kujton...


Apo, si në aventurën e parë me një kurvë,
që profesionalisht  të bën të ndjehesh aventurier,
dhe vetëm pasi largohesh prej saj i kënaqur,
Kupton, je rruar tek një profesionist femër berber...


Shpesh,
Të ngjan se jeton si në një përrallë
Pa pikë nisje e pa qëllim final!
Ku aktoret janë gati gati të maskuar,
ngjajnë me manekinë pa fije,
por çuditërisht lëvizin këmbë e duar!
Mor po, heqin gjithshka,  deri edhe brekët,
këmishën kanë hedhur duke hyrë,
dhe të akuzojnë,- më grise benevrekët!


Çudi të botës!
Në atë që prekim çdo ditë me dorë,
Në atë që sytë përditë na shohin,
Në atë që çdo minutë prekim me mëndje
Ku kujtojmë se,- pak na shohim e pak na njohin!


Këtu, ndjen se je në një abstrakt,
Ku gjithshka nis e humbet pas një çasti
Ku dreqi hyn e del pa u parë,
dhe filmi ndërpritet, filli këputet...
Ti, ngjan me një gjel deti në fund viti në Pazar...!


Qenia,
Përballë këtij realiteti pararendës hipokrit,
Ashtu si në shekujt e kaluar një besimtar,
futesh në manastire të bëhej jezuit...


Ikën,
Larg nga sytë e verbër
Larg nga veshët e shurdhit
Larg nga vrapimi i çalamanit
Larg nga kënga e çuditshme e memecit
Larg nga jeta me përskuqjen e dreqit!


Larg!
Salloneve të berberëve me buzë të kuqe...
Kurvarëve të ndershëm dhe atyre me huqe!
Ujqërve, që me zë deleje blegërojnë
Sorrave, që me zë bilbili si të virgjëra cicërojnë !


Dëshiroj të jem,
Aty ku  hutini e njeh fluturimin e shqiponjës
Aty ku dhe ariu i madh pi nga gjiri i ujkonjës
Mes pyjesh të larta që me madhështi çajnë retë
Ku ajri i pastër e vesa e mëngjesit blerojnë livadhet
Aty, të dehem me ujë të dlirë mali,
Bashkë me zanat e shtojzovallet!



©Ardi OMERI

Nessun commento:

Posta un commento

Në vazhdën e atyre që kam mësuar, dhe pas të të shumtave që s'kam mësuar, po ju them se: - Askush nuk i do servilët, por të gjithëve u ...