Në djall dashuria ime për ty,
Kujtimet, që shpirtin ta kallin...
Në djall bashkë me ne të dy,
Ëndrrat që përlotin edhe mallin!
Në djall vaftë dashuria ime,
puthjet që pafundësisht ndjeva.
Vargjet në këngë e recitime,
epshet që mbi hire kërceva.
Në djall unë, ti dhe shpirti ynë,
Ferrat gojëliga që na ndanë.
Qiellin mizor që vrer fryn,
Diellin, që paturpësisht nuk qan...
Në djall karajfilë e borzilokë,
mimoza, që çelin veç në pranverë.
Në djall urithët fshehur nën shqopë,
dhe labirintet e errëta të tokave djerrë...
Në djall lulet që s’çelin në çdo stinë,
dhe i rrëmben i pari shi pa emër...
Ëndrrat e qullura në mëngjesin e brintë,
në djall, në djall orkidetë pa zemër...