giovedì 7 luglio 2022

NUK KAM FRIKE NGA VDEKJA



NUK KAM FRIKE NGA VDEKJA

S'kam patur kurrë frikë nga vdekja,
prandaj dhe kam vdekur disa herë!
M'ka thirrur shpesh e errta,
pastaj më ka lënë rrugës,
si një besëprerë...

S'kam patur kurrë frikë nga vdekja,
dhe pse ndjehem keq,
kur më ikën një dashuri!
Më ka tërhequr gjithmonë e keqja,
por kurrë s'më ka futur në gji...

S'kam patur kurrë frikë nga vdekja,
por vetëm nga heshtja!
Ajo e mallkuar më tremb!
Besën e kam lidhur me fjalën,
dhe asgjë-ja më dhemb...

Më dhemb tmerrësisht heshtja,
edhe pse thonë që ajo flet shumë!
Me duket njëlloj si vdekja,
por e mbrojnë pikërisht ata,
ata që flasin më shumë!

Ata që besën kanë me intrigën,
me fjalën e përçudnuar në asht..
Ata që s'lidhen në besë as me frikën,
dhe as me bukë e mjaltë.

Ata që kanë frikë nga vdekja,
dhe vdekjen e përdorin për frikë.
Ata që i tërheq hjekja,
dhe hjeksit i çojnë në ferr,
pa pajë e prikë...

Më çudit heshtja,
sidomos kur cilësohet "e artë"!
Për mua është më e keqe se vdekja,
është një qivur pa kapak...

S'më ka trembur kurrë vdekja,
më ka tmerruar heshtja!

Largimi nga njerëzit e dashur,
fjala e tyre e ngrohtë.
Më mungon zënka e çastit,
dhe puthja pas të nxehtit lot...

Përqafimi me mall,
shtrëngimi në krahëror...
Puthja me sy,
dhe prekja me dorë...

Pa to njeriu është asgjë,
dhe vdekja s'e di çdo të thotë,
të dënohesh me heshtje!
Ajo s'e di si mbytet njeriu në lot,
si psherëtin dhimbshëm shpirti me vehte...

S'më tremb vdekja,
dhe errësira saj s'më ka mundur dot.
Ndoshta vërtetë nuk e besoni,
por unë kam vdekur disa herë,
dhe asnjëherë s'e kam takuar të plotë.

Heshtjen po,
ajo më ka mbytur në lot.
Ajo m'ka marrë jetën
dhe s'e kam mundur dot.

Ardi OMERI

Londer 08/07/2022



Nessun commento:

Posta un commento

Në vazhdën e atyre që kam mësuar, dhe pas të të shumtave që s'kam mësuar, po ju them se: - Askush nuk i do servilët, por të gjithëve u ...